Policia ende nuk ka dalur me qëndrim se a bëhet fjalë për grup të organizuar apo bëhet fjalë për raste të ndara, megjithëse vjedhjet e kësaj natyre janë shfaqur kohë pas kohe, kurse gjysma prej tyre janë zbardhur
Urim HASIPI
Tetovë, 21 shtator – Tashmë një kohë të gjatë në Tetovë dhe rrethinë regjistrohen vjedhje të rënda, gjegjësisht plaçkitjet me armë nga persona të maskuar. Zakonisht, gjatë kësaj kohe, cak i këtyre vjedhjeve kanë qenë marketet dhe këmbimoret, apo Agjencitë për transfere të parave, shkruan gazeta KOHA. Disa prej këtyre vjedhjeve janë zbardhur, disa ende janë në zbardhje e sipër, por vjedhjet me maska janë ende prezente në këto hapësira.
Kryesisht në këto plaçkitje me armë dhe me maska, kanë marrë pjesë më shumë persona, apo grup i cili në të shumtën e rasteve vetëm kanë kërcënuar punonjësit dhe me sendet e vjedhura janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke mos u shkaktuar lëndime personave që kanë qenë prezent në momentin e vjedhjeve.
Nga Policia e Tetovës, njoftuan se brenda nëntë muajve janë regjistruar dhjetë plaçkitje me maska.“Në periudhën prej një janarit e deri më 19 shtator të këtij viti, në rajonin më të gjerë të Tetovës, kanë ndodhur 10 plaçkitje dhe 2 tentime për plaçkitje, prej të cilave në 7 prej tyre janë përdorur maska fantome nga ana e plaçkitësve, ndërsa në 9 raste janë përdorur armë edhe atë në 8 raste armë zjarri dhe në një raste armë e ftohtë. Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, deri më tani ka zbardhur 6 të raste të plaçkitjeve, ndërsa rastet tjera janë në procedurë e sipër”, deklaroi zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Por ajo që është e veçantë në vjedhjen e fundit në Tetovë, ku në një Agjenci për transfere parash, për herë të parë vjedhja kryhet nga një shtetas i huaj, që në këtë rast rezultoi të jetë italian, i asistuar nga dy shtetas të Tetovës dhe një vajzë nga Italia.
Sipas informacioneve jozyrtare, shtetasi italian madje është edhe kryerës i veprës plaçkitjes dhe ka hyrë brenda në agjenci, ndërsa tre tjerët kanë qenë të angazhuar si logjistikë. Sipas njohësve të këtyre rrethanave, zakonisht në këto raste, kryerësi nuk flet gjatë aktit të plaçkitjes për shkak që të mos njihet se çfarë përkatësie ka që më pas policia ta ketë më vështirë kapjen e të njëjtit.
Kështu edhe kishte qenë gjatë kësaj vjedhje, ku shtetasi italian nuk kishte folur aspak me punonjësin, por vetëm ka bërë me shenjë që ai të hap arkën prej metali ku i mbajnë paratë. Policia ende nuk ka dalur me qëndrim se a bëhet fjalë për grup të organizuar i cili funksionon në këto hapësira apo bëhet fjalë për rasteve të ndara, megjithëse vjedhjet e kësaj natyre janë shfaqur kohë pas kohe, kurse gjysma prej tyre janë zbardhur, ndërsa ajo që bie në sy është se vjedhja e parave në kombin e transferit të parave nga marketi “Kipper” gjatë muajit qershor, në Reçicë të vogël, dhe plaçkitja në këmbimore që ndodhi këtyre ditëve në sipas informacioneve policore njëri prej personave është i involvuar në të dy këta raste.
Kësisoj, vjedhjet dhe plaçkitjet e shumta në rajonin e Tetovës që kryhen nga personat e maskuar shqetësojnë pa masë qytetarët. Ata janë shprehur se policia duhet që sa më shumë të punojë në këtë drejtim me qëllim që të evitojnë plaçkitjet e këtillla. Qytetarët theksojnë se në këtë mënyrë ndjehen të pasigurt, sepse shumë lehtë mund të jenë cak të hajnave.
Nga policia është kërkuar që qytetarët në kohë sa më të shpejtë të denoncojnë ngjarjet dhe dukuritë devijuese në atë rajon me qëllim që në mënyrë efikase të merren masa. Kohëve të fundit në Tetovë dhe më gjerë janë regjistruar vjedhje të rënda jo vetëm në qytet por edhe në vendbanimet rurale. Madje pjesa dërmuese e vjedhjeve kryhen nga persona të maskuar dhe të armatosur gjatë orëve të natës. (koha.mk)