Për ndryshimet e Rregullores së Kuvendit do të votohet nesër

Shkup, 23 korrik – Në Kuvend nesër në mesditë, në vazhdimin e seancës së 106-të, do të votohet për Propozim-rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili sillet me procedurë të shkurtë. Sipas propozuesit-kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ndryshimet kontribuojnë për zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Për këtë pikë të rendit të ditës në seancën e 106-të reagoi koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski, sipas të cilit me sjelljen në procedurë të shkurtë nuk respektohet procedura dhe se nuk është në përputhje me procesin “Zhan Mone” në të cilin partitë politike, siç tha, në mënyrë koncensuale merren vesh për sjelljen e rregullores në Kuvend.

E pyeti propozuesin Xhaferi se pse propozimi për ndryshime përmban një pjesë të çështjeve të pambyllura të procesit “Zhan Mone” dhe nuk iu është lënë grupeve parlamentare që bashkë dhe në mënyrë koncensuale ta sjellin. Të gjitha punët më të mëdha, tha Micevski, janë sjellë ose me procedurë të shkurtër ose me mosrespektimin e procedurave të shtëpisë ligjvënëse.

Xhaferi u përgjigj se Ligji për përdorimin e gjuhëve është sjellë në vitin 2018 është në fuqi dhe me të parimisht është paraparë detyrim ligjor që në afat prej gjashtë muajve të harmonizohen aktet nënligjore të Kuvendit.

“Në bazë të dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, unë udhëheq dhe kryesoj me Kuvendin në gjuhën shqipe, ndërsa Rregullorja i përcakton procedurat.  Dhe për këtë, isha i kujdesshëm që të mos bëj presion për këtë çështje gjatë këtyre gjashtë muajve aq sa ishte afati”, tha Xhaferi.  Koordinatorët e grupeve parlamentare i porositi që të sigurojnë shumicë prej 61 deputetëve që nesër të votohet për ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores.

Kuvendi sot pasdite me procedurë të shkurtër solli ligjin për themelimin e ndërmarrjes publike Radiodifuzioni i Maqedonisë, si dhe ligjet për drejtësi të fëmijëve, për bujqësi dhe zhvillim rural dhe Ligjin për zjarrfikës.(koha.mk)