Tifozët serbë e kanë fyer rëndë presidentin e Federatës Malazeze të Futbollit, Dejan Savicevic për mikpritjen që ia bëri Kosovës në ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Evropian 2020. Dejan Savicevic dikur ishte legjendë në ish-Jugosllavi, shkruan Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha. Ish-futbollisti i njohur malazez ishte idhull i tifozëve të Crvena Zvezdës, por atë e donin thuajse të gjithë tifozët serbë. Mirëpo, e gjithë dashuria për “Gjeniun” tash është kthyer në urrejtje shkaku i Kosovës.
Në fakt, ish-futbollisti i Milanit tash është president i Federatës Malazeze të Futbollit dhe mikpritja që ia bëri ai kontingjentit të Kosovës u ka djegur serbëve, të cilët nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Dhe, tifozët e Partizanit, “Grobari”, në ndeshjen e fundit të ekipit të tyre të zemrës në basketboll mbrëmë e kanë shpalosur një transparent, përmes së cilit e kanë goditur dhe e kanë fyer rëndë Savicevicin.
“Shqiptarët kanë qenë mikpritësit tu të ngrohtë, ndërsa serbët në Mal të Zi jetojnë të anashkaluar. Për këtë, merre… Gjeni”, ka shkruar në transparentin e “Grobari”.
Këta të fundit ndërkohë e kanë goditur edhe futbollistin malazez të Partizanit, Aleksandar Scekic, i cili vendosi të luante për vendin e tij kundër Kosovës, nga i cili kanë kërkuar të largohet nga klubi bardhezi.
Gjithashtu, në qendër të akuzave të “Grobari” ishin edhe ish-futbollistët e Partizanit, Nebojsa Kosovic e Mark Jankovic, të cilëve u është thënë se duhet t’ju vijë turp që pranuan të luajnë kundër Kosovës.
Ndërkohë, lëvdata të mëdha u dhanë për tashmë ish-trajnerin e Malit të Zi, Ljubisa Tumbakovic, i cili vendosi të mos e drejtonte ekipin e tij kundër Kosovës pas mesazheve dhe kërcënimeve me vdekje që mori ai nga serbët.
Ndërkohë, njëjtë si trajneri, as dy futbollistët e Crvena Zvezdës, Mirko Ivanic e Filip Stojkovic, nuk kishin pranuar të luanin kundër Kosovës.