Dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM në pushtet dhe VMRO-DPMNE në opozitë kanë vazhduar përplasjet për masat e propozuara ekonomike të Qeverisë. Përderisa pushteti thotë se ato të japin “frute”, opozita konsideron se masat e propozuara më të goditurit i kanë lënë në mëshirën e Zotit
Destan JONUZI
Shkup, 6 prill – Pushteti dhe opozita nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për masat ekonomike, të cilat janë msse të nevojshme për biznesin dhe qytetarët. VMRO-DPMNE kërkon që Qeveria seriozisht ta shqyrton propozimin e tyre për shfrytëzimin e parave nga fondet pensionale, ndërsa si shembull e përmendin qarkullimin e 120 milionë euro nga fondi privat pensional në atë shtetëror. “Kjo mbështetje është më se e nevojshme për fondin pensional shtetëror, duke marrë parasysh se 100 për qind e pensioneve paguhen nga ky fond. Edhe në kushte normale mungesën e mjeteve, shteti e plotëson me transfer të mjeteve nga fondi privat në atë shtetëror. Pra nuk bëhet fjalë për uzurpimin e mjeteve të të siguruarve që janë akumuluar në llogaritë e tyre në fondet private të sigurisë”, deklaroi Trajko Sllavevski, nga VMRO-DPMNE-ja dhe ish-ministër i Financave.
Në anën tjetër, nga LSDM-ja sigurojnë se me strategjinë tanimë të ndërtuar do të ketë edhe efekte pozitive. Thonë se mija vende pune do të shpëtohen, ndërkohë që Qeveria i ka shkurtuar harxhimet e panevojshme me qëllim që ti ndihmohet sektorëve më të goditur. “Me masat e propozuara në këtë kohë të rëndë për vendin do të ruajmë më së paku 250 mijë vende pune dhe do tu ndihmojmë mbi 350 mijë kompanive. Kriza me të cilën përballemi të gjithë kërkon nga të gjithë ne solidaritet”, thonë nga LSDM-ja.
Për krizën ekonomike dhe cilat masat janë më të arsyeshme, qëndrime të kundërta kanë shfaqur edhe vet liderët e dy partive më të mëdha maqedonase, LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski. Sipas liderit të partisë më të madhe në pushtet – LSDM, Zoran Zaev, masat e propozuara qeveritare janë hartuar në bashkëpunim me sektorin afarist. “Masat janë hartuar në koordinim me sektorin e biznesit. Kjo është gjendje likuide të cilën duhet ta ruajmë. Shëndetshëm duhet ta ruajmë. Së pari duhet nga jashtë të sjellim para. E gjithë bota merr para hua. Të gjitha rekomandimet e ish-guvernatorëve dhe të tanishëm, të Bankës Qendrore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore thonë se hapi i parë është siguri i mjeteve nga jashtë me huamarrje”, ka deklaruar Zaev. Ndërkohë që kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski vlerëson se më të goditurit janë lënë në mëshirën e Zotit. “Ju përsëri kërkoni para nga jashtë. Por, ju garantojë se ne përsëri do të përfundojmë me ndonjë aranzham stend-baj. Shumë shpejt do të flasim kur të vjen koha. Por, duhet ndihmohet ekonomia me masa reale”, ka deklaruar lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Ndryshe, pakoja e dytë e masave ekonomike të cilat i ka aprovuar Qeveria kapin vlerën prej 200 milionë euro, ndërsa si masë kryesore është ndihma e pagës minimale prej 14.500 denarë për të punësuarit në sektorin privat për muajit prill dhe maj. (koha.mk)