Beograd, 22 shkurt – Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov edhe në konferencën e dytë në Beograd, këtë herë me ministrin serb të Punëve të Jashtme Ivica Daçiq, sërish u përqendrua në rajonin dhe zgjerimin e NATO-s drejt Maqedonisë e vlerësoi si konfrontim.
“E shqyrtojmë situatën në Evropë, e cila, për fat të keq, nuk është e shëndoshë, për shkak të tentimeve të disa anëtarëve të NATO-s dhe të BE-së, të cilat e rrisin konfrontimin me zgjerimin e Unionit veriatlantik gjithnjë e më shumë drejt Lindjes. Me këtë rast nuk merret parasysh mendimi i qytetarëve nga disa vende, siç ishte rasti në Malin e Zi dhe siç tani tentojnë të zbatojnë në Maqedoni dhe në BeH”, thotë Lavrov.
Ai deklaroi se janë të përkushtuar ndaj marrëveshjes paraprake të cilat deri më tani janë arritur në Këshillin e Sigurimit dhe kjo ka të bëjë edhe për Kosovën dhe për zgjidhjen e situatës në BeH, në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit.
“Me Serbinë kemi përputhje të madhe të qëndrimeve rreth çështjeve ndërkombëtare”, konstatoi Lavrov.
Daçiq iu falënderua ndihmës dhe mirëkuptimit që Rusia ia jep Serbisë për zgjidhjen e çështjes me Kosovën, me ç’rast u përqendrua në deklaratën e Hashim Thaçit “se shumë do të ndihmonin nëse Rusia e njeh pavarësinë e Kosovës, me çka do të ndërpritet mitologjia te Serbëve”.
Në konferencën e djeshme për shtyp me presidentin Aleksandar Vuçiq, Lavrov vlerësoi se rajoni po përballet me shumë probleme, duke i theksuar aspiratat për Shqipëri të Madhe. Theksoi se është i shqetësuar për shkak të pasivitetit të BE-së dhe si shembull e theksoi Maqedoninë dhe shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit.
Sergej Lavrov, Ivica Daçiqit në ceremoninë solemne ia dorëzoi Dekoratën për miqësi, me të cilin u dekorua nga presidenti rus Vlladimir Putin, me çka përfundoi vizita e tij dyditore në Serbi.