Laura PAPRANIKU
Shkup, 27 nëntor – Milionat e premtuara për ndërtimin e Universitetit “Nënën Tereza” në Shkup, nuk janë në atë sasi sa që pritej të ndahen për vitin 2018, shkruan gazeta KOHA. Ishte deklaruar disa herë se për ndërtimin e kampusit universitar të UNT-së, në hapësirat e ish-kazermës ushtarake “Ilinden”, gjatë tre viteve të ardhshme do të ndahen rreth 21 milionë denarë apo për afërsisht nga 7 milionë euro secilin vit. Mirëpo, kjo sasi mjetesh mungon të paktën në buxhetin e vitit të ardhshëm kalendarik.
Për UNT-në, me buxhetin e 2018-ës parashihet të ndahen në total 288.388.000 denarë ose rreth 4.690.000 euro, duke përfshirë në këtë zë të gjitha shpenzimet e nevojshme për funksionimin e këtij universiteti. Pra, në 4.690.000 eurot e planifikuara për UNT-në, janë përfshirë, përveç mjeteve financiare për rrogat dhe kontributet e të punësuarve, për mirëmbajtje, blerjes së pajisjeve dhe mobileve dhe shpenzimeve të tjera të nevojshme, nga ai buxhet duhet të ndahen edhe mjete për ndërtimin e objektit universitar. Për këtë qëllim, në suazat e buxhetit të UNT-së, janë planifikuar mbi 3 milionë euro për ndërtimin e kampusit në vitin 2018, po aq sa edhe për ndërtimin e dy fakulteteve të Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup, por që kanë një buxhet të veçantë. Konkretisht, për ndërtimin e objekteve të UKM-së, në buxhetin për arsim të lartë është planifikuar zë i veçantë. Kështu, vetëm për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e objekteve për Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINK) dhe për Fakultetin e Kulturës Fizike (FKF) janë planifikuar 200.000.000 denarë apo 3.253.000 milionë euro. Këto mjete i janë ndarë UKM-së, krahas 1.352.174.000 denarëve (21.987.000 eurove) për shpenzime tjera të nevojshme për funksionimin e atij universiteti. Të llogaritura në total, UKM është prezent me 1.552.174.000 denarë apo 25.240.000 euro në buxhetin e përgjithshëm të arsimit të latë për vitin 2018, i cili shkon në 339.245.366 milionë euro gjithsej. Kështu, UKM merr në të njëjtën kohë tiparin e institucionit të arsimit të lartë me buxhetit më të madh në Maqedoni, duke lënë shumë prapa universitet tjera publike, si ai i Tetovës, Manastirit, Shtipit apo edhe Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Nga viti 2017 në vitin 2018 është shënuar rritje e lehtë e buxhetit në zërin për arsim të lartë, edhe atë nga 19.794.507.000 denarë (321.861.902 euro) në 20.863.590.000 denarë (339.245.365 euro), por vëren edhe rënie dhe ngritje të konsiderueshme nëse krahasohen zërat e njëjta. Çdo herë, sipas planifikimit nga buxheti bazë, rënie më të madhe ka buxheti i UKM-së nga rreth 46.136.000 euro (2017) në rreth 22.000.000 euro (2018). Rënie të konsiderueshme ka edhe UT-ja, nga rreth 6.100.000 euro në 5.372.000 euro, ai i Shtipit, nga 4.754.000 euro në 4.400.000 euro dhe UAP në Ohër, nga 1.673.000 në 1.500.000 euro. Rritje të buxheti ka shënuar Universitetin “Nënën Tereza” në Shkup, nga rreth 1.332.000 euro në 4.690.000 euro, por për shkak të rreth 3.250.000 brenda atij buxheti dhe, po ashtu ka rritje në buxhetin e Universitetit të Manastirit nga rreth 4.350.000 euro në 4.830.000. Për institucionet private jo profitabile, nuk është ndryshuar shuma e parave që planifikohet të shpenzohen nga buxheti i vitit të ardhshëm. Pra, për vitin 2018 mbetet e njëjtë shuma e parave për këtë zë, rreth 638.000 euro, sa edhe vitin paraprak. Në planifikimet për botim të literaturës profesionale, shkruan KOHA, MASH-i duket se është treguar pak më dorë shtrënguar se vitin e kaluar, pasi për dallim prej rreth 1.240.000 të ndara për vitin që po lëmë pas, për vitin e ardhshëm për këtë qëllim janë planifikuar të shpenzohen diçka më pak se 978.000 euro, përderisa Akademia e Mësimdhënësve është fshirë krejtësisht nga buxheti i vitit që vjen.
Në buxhetin e institucioneve të arsimit të lartë bie në sy orientimi i shpenzimeve kryesisht për rroga dhe kontribute. Kështu, te UKM-ja mbi 80 për qind e buxhetit shkon për këtë qëllim, te UT-ja 83.5 për qind, te UNT-ja rreth 57 për qind apo te UKM-ja 84 për qind. Në kuadër të buxhetit nga të hyrat bazë, institucionet e arsimit të lartë financohen kryesisht për rrogat dhe kontributet e të punësuarve. Për shpenzimet tjera u duhet shpesh herë të “prodhojnë” të holla nga buxhetet vetanake, donacionet apo edhe kyçja nëpër projekte të ndryshme. (koha.mk)