Nga policia e Tetovës kanë njoftuar se si në të kaluarën po ashtu edhe në të ardhmen, do të vazhdojnë me aktivitetet e përforcuara, në lidhje ma sanksionimin joselektiv të këtyre shkeljeve, ndaj të gjithë kundërvajtësit, për shkak se rregullat dhe dispozitat ligjore në komunikacion vlejnë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik
Urim HASIPI
Tetovë, 22 qershor – Numri më i madh e aksidenteve që ndodhin në rajonin e Tetovës janë si pasojë e mos respektimit të shpejtësisë në rrugë. Të dhënat statistikore tregojnë se gati secili aksident i dytë që ndodh, është për shkak të mosrespektimit të përkufizimit të shpejtësisë apo për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë sipas kushteve dhe gjendjes së rrugës, kushteve atmosferike, shikueshmërisë e kështu me radhë, që të mundet secili vozitës në kohë të ndalojë veturën përpara të gjitha pengesave të paparashikueshme, shkruan gazeta KOHA.
“Të dhënat statistikore tregojnë që në periudhën prej fillimit të këtij viti, deri tani, për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë, kanë ndodhur 77 aksidente trafiku, në të cilat 6 persona kanë humbur jetën, 21 persona kanë marrë lëndime të rënda trupore, kurse me lëndime të lehta trupore kanë përfunduar 185 persona. Proporcionalisht me këto të dhëna që posedojmë, kemi sanksionuar 1660 shkelës për këtë kundërvajtje, ndërsa për 581 vozitës kemi lëshuar kërkesë për aktivizimin e masës mbrojtëse ndalesë për drejtim të automjetit”, tha Zoranço Talev, komandant i Stacionit policor për siguri në komunikacionin rrugor në Tetovë.
Ai njoftoi se policia e komunikacionit është pajisur me radarë bashkëkohor, që funksionojnë me anë të laserit tek të cilët gjatë matjes ka saktësi maksimale, matja e shpejtësisë regjistrohet me video incizim dhe kur kërkohet të merren sanksionet mbrojtëse “Ndalesat për drejtim”, videot dërgohen dhe përdoren si material dëshmues në gjykatë. Gjatë kontrolleve të sotme po ashtu janë shqiptuar dënime edhe për disa vozitës që kanë tejkaluar shpejtësinë e lejuar në autostradën Shkup – Tetovë. Nga policia e Tetovës kanë njoftuar se si në të kaluarën po ashtu edhe në të ardhmen, do të vazhdojnë me aktivitetet e përforcuara, në lidhje ma sanksionimin joselektiv të këtyre shkeljeve ndaj të gjithë kundërvajtësit, për shkak se rregullat dhe dispozitat ligjore në komunikacion vlejnë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. “Në të ardhmen është parashikuar edhe vendosja e radarëve fiks dhe atyre mobil, në vende të caktuara në të cilat janë shpeshtuar këto lloje të shkeljeve, si dhe vendosja e kamerave me të cilat do të detektohen dhe sanksionohen dhe llojet tjera të shkeljeve në trafikun rrugorë. Dispozitat ligjore në Ligjin për siguri në komunikacion dhe rrugë, parashohin gjoba të detyrueshme për kundërvajtje prej 20 deri 400 euro në kundërvlerë të denarit, varësisht nga shpejtësia që ka tejkaluar dhe krahas gjobës gjithashtu janë të parapara edhe masa mbrojtëse ‘ndalesë për drejtim të automjetit’ në afat prej 3 deri 12 muaj”, tha Talev.
Në përgjithësi rrugët në Tetovë dhe rrethinë vazhdojnë të jenë të pasigurta për vozitësit. Çdo ditë regjistrohen aksidente si në autostradë po ashtu edhe në rrugët tjera të Tetovës. Me rritjen e frekuentimit të automjeteve nëpër rrugët e Pollogut gjatë periudhës që vijon, policia apelon për më shumë kujdes. Në ndërkohë, ende nuk kanë filluar punët për rikonstruimin e kësaj rruge, kurse edhe pse jozyrtarisht flitet se do të ketë edhe zgjerim, megjithatë njohës të këtyre rrethanave thonë se problem janë urat dhe mbikalimet. Rikonstruimi i rrugës është paralajmëruar nga ana e ndërmarrjes Rrugët e Maqedonisë për këtë vit, ndërsa nëpër tërë magjistrale shpejtësia është kufizuar në 80 kilometra në orë. (koha.mk)