Bujar KURTAJ
Shkup, 21 shkurt – Skuadra e Shkëndijës me fitore e nisi sezonin pranveror, duke mundur në stadiumin e qytetit në Tetovë, Sileksin me rezultatin 2:0. Tre pikë të rëndësishme në luftën për titullin e kampionit, sidomos për trajnerin e ri Tomas Brdariç dhe përforcimet e reja të cilët në afatin kalimtar të janarit iu bashkuan kuqezinjve. Në mesin e atyre prurjeve të reja që iu gëzua fitores së parë ka qenë edhe blerja e fundit Besart Abdurahimi. Ai për gazetën KOHA, u shpreh i lumtur me fitoren e arritur ndaj Sileksit.
“Normal që duhet të jemi të kënaqur pasi morëm atë që deshëm prej para ndeshjes. Plani jonë është tre pikë në çdo ndeshje, mirëpo secili takim kërkon përqendrim maksimal dhe punë serioze. Ne bëmë pikërisht këtë, duke imponuar lojën tonë dhe vazhdimisht kërkuam të gjejmë golin. Shënuam nga një gol në secilën pjesë, mundeshim edhe më shumë, por me rëndësi morën tre pikët dhe tani duhet të vazhdojmë me këtë rritëm edhe pse mendoj se ne mund të ngrihemi ende në formë”, u shpreh Besarti.
Ai thotë është ndjerë shumë mirë dhe përballja e parë i ka dhënë atij mjaftë emocione.
“Vërtet jam ndjerë shumë mirë dhe kjo përballje më ka dhënë një emocion jashtëzakonisht pozitiv. Unë vetëm një javë jam me ekipin dhe si që kam cekur në prezantim, lojtarë si Buba, Cuculi, Pollozhani, Alimi, Ibraimi e tjerë më kanë bërë të mundur të kem adaptim të shpejtë. Deri në moment të fundit nuk e kam ditur nëse do të kem të drejtë loje shkaku i kompletimit të dokumentacionit dhe kam qenë shumë i lumtur kur më thanë se do të kem mundësi të debutoj. Ishte gjithçka pozitive, publiku ishte në nivel, krijuan atmosferë të bukur dhe ishin mbështetje e madhe për ne. Unë i falënderoj me këtë rast gjithë spektatorët për pritjen e mirë që më bënë dhe durimin e shfaqur edhe në momentet kur ndodhte ndonjë gabim gjatë lojës. Unë jam i vetëdijshëm se do të kem nevojë për pak kohë për të arritur nivelin tim më të mirë. Por, e them se si për fillim gjithçka ishte shumë mirë”, shtoi më tej Abdurahimi.
Në fund Besarti foli edhe për garën me Vardarin në luftën për titull, ndërsa thotë se te Shkëndija ka ardhur për të fituar titullin e kampionit. “Sigurisht se besoj. Për atë kam ardhur këtu unë dhe shoh se ekipi ka shumë lojtarë cilësorë që kam bindjen se jemi të denjë për të fituar titullin. Tani duhet vetëm të punojmë më shumë përkushtim, të jemi sa më profesional, mos kënaqemi kurrë, por të punojmë me seriozitet dhe të marrim ndeshjet një nga një. Nëse ne do jemi në nivelin tonë më të mirë, jam i bindur se ne do marrim atë që duam në këtë kampanjë”, përfundoi Besart Abdurahimi, i cili në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit u transferua te skuadra kuqezi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.