Jeta dhe trashëgimia e Faik Konicës kanë qenë dhe mbeten gjithnjë fusha të hapura për studiuesit tanë për vlerat dhe rolin e rëndësishëm që kanë luajtur dhe luajnë në kulturën, letërsinë dhe mendimin shqiptar. Personalisht i kthehem herë pas here zbulimit dhe studimit të figurës së tij poliedrike. Me këtë rast dua t’ju kujtoj lexuesve tanë disa konsiderata e të dhëna për të, nga personalitete shqiptarë dhe të huaj. Janë këto vlerësime që koha jo vetëm që nuk i ka zhvlerësuar, por përkundrazi i ka vërtetuar dhe lartësuar më tej
Nasho JORGAQI
Një poet i madh si G.Apollineri do të shprehej: “Çfarë shpirti fin dhe të kulturuar kishte Faik Konica!”. Kurse Fan Noli e çmon lart nga pikëpamja patriotike kur e quan nga “kampionët më të mëdhenj të independencës kombëtare dhe kryekalorësin e gjuhës shqipe”.
Gjergj Fishta do ta cilësonte “Gjykatësi më elegant i letërsisë shqipe”. Vangjel Nirvana tregohet më realist kur shkruan: “Figurë vigane që natyra e kish pajisur me virtytet më të mëdha, por edhe me të metat më të mëdha”.
Nga kjo pikëpamje le të kujtojmë subjektivizmin e paskrupullt dhe qëndrimin e tij absurd, mendimet e mbrapshta që ka shprehur me rastin e vdekjes së patriotit të madh, Luigj Gurakuqi apo zhvlerësimin që i bëri poezisë së Naim Frashërit pa përmendur një varg mëkatesh të tjera që nuk e nderojnë aspak figurën e tij madhore.
Por, le të vazhdojmë më tej me vlerësimet për të, si ato të Arshi Pipës që i qaset ndryshe kur thotë: “Të tjerët dhanë punën ai dha tonin”. Apo fjalët e Qerim Panaritit për Konicën që e quan “Një kryqtar të vetmuar”.
Ndërsa Luan Rama pohon nga Parisi një të vërtetë kur shkruan: “Faik Konica qëndron në rrjedhat e integrimit dhe qytetërimit evropian”.
Gjuhëtari Namik Resuli e vlerëson “model i gjallë i shqipes, jo vetëm nga pikëpamja estetike por edhe e përpunimit të saj”.
Kurse Luan Starova komenton se “Faik Konica sado që ka qenë i kapluar prej imperativave të Rilindjes Shqiptare i përçmonte edhe nxitjet e estetizmit evropian”.
Për Janet Byronin “Faik Konica është i rëndësishëm sot si shembull i jashtëzakonshëm i një njeriu që mundi të bashkonte aftësitë letrare me aftësitë e gjuhësisë…”
Autori i këtyre radhëve u takon atyre punëtorëve të përkushtuar të kulturës shqiptare të traditës që përpiqet të gjurmojë e të hetojë jetën e Faik Konicës me dritëhijet e saj, por të hulumtojë e të mbledh trashëgiminë e tij të shpërndarë në kohë dhe në hapësirë. Sigurisht një punë tepër e vështirë sado e nderuar dhe e pritshme nga opinioni. Dy janë shtyllat e personalitetit të Faik Konicës që shfaqen para studiuesit: intelektuali dhe njeriu. Për të parin shumë shqiptarë kanë hedhur dritë të qartë dhe kanë evidentuar dritëhijet kurse për të dytën ndeshen në mjegullima me të dhëna dhe gjykime kontradiktore, me kontraste flagrante me njeriun e jashtëzakonshëm dhe të rëndomtë, me objektivitet të lartë por edhe me subjektivizëm të nivelit të ulët, ai është njeriu më kompleks i botës intelektuale shqiptare.
Kështu, për studiuesin është relativisht më lehtë të vihet në rolin e gjykuesit të raporteve të Konicës me historinë, por shumë e vështirë për ta vështruar dhe gjykuar qenien e tij si njeri. Zbulimi dhe qëndrimi ndaj njeriut Konica paraqitet mjaft problematik. Është fjala për natyrën dhe karakterin, për botën shpirtërore dhe temperamentin për raportet njerëzore dhe për formimin psiko-intelektual, për njeriun si individ dhe atë social. Studimi dhe gjykimi i tyre lypin patjetër psikologun, psiko-analistin që akoma qëndrojnë disa larg ose thuajse duhen të shkelin në këtë fushë djerrë.
Janë këto disa mendime modeste për të ngacmuar dhe nxitur studimet koniciane në rrafshe të ndryshme. Sa për shkrimet e Konicës që shoqërojnë këtë shënim (Nga mozaiku konician) janë një takim kalimtar i lexuesit me autorin me mendime e tij të mençura dhe me fjalën e tij magjike që tingëllojnë aq bukur e bashkëkohore edhe sot e kësaj dite.
Por, me këtë rast kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju bëjë të ditur opinionit të gjerë për zbulimin historik të dy romaneve krejt të panjohur të Faik Konicës me vlerë të çmuar për historinë e romanit shqiptar dhe letërsinë shqipe. Është fjala për dy romane të tij me subjekt shqiptar, të shkruara në frëngjisht e të botuara në Paris në vitin 1911, të titulluar “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe mitka”, me autor Jean Kroia (Gjoni i Krujës, e shqipëruar).
Romanet u zbuluan pas afro 100 vjetësh nga studiuesi i njohur frankofon Fotaq Andrea, falë punës së tij kërkimore shumëvjeçare nëpër arkiva dhe burime të tjera dhe mbi të gjitha pasionit e përkushtimit atdhetar si dhe përgatitjes serioze shkencore. Ai jo vetëm i nxori në dritë por edhe i shqipëroi me gjakun e autorit dhe me një nivel të lavdërueshëm.
Sikur të mos mjaftonte kjo i botoi me shpenzimet e tij një sakrificë kjo e detyruar kur Ministria jonë e kulturës nuk merrte përsipër botimin e tyre. Romanet u shoqëruan me një studim shkencor serioz e i dokumentuar për vlerat e romaneve dhe zbulimin e identitetit të Faik Konicës si autori i tyre. Me zbulimin e këtyre dy romaneve që lexuesi ynë tanimë i ka në dorë Fotaq Andrea i solli njës shërbim me vlera kulturës dhe letërsisë sonë të traditës.
E me këtë rast e falënderojmë dhe i shprehim mirënjohjen e thellë duke i uruar suksese të tjera në punën e tij hulumtuese kushtuar trashëgimisë së Faik Konicës.