Urim HASIPI
Tetovë, 12 nëntor – Në dhjetë muajt e këtij viti, në rajonin më të gjerë të Tetovës gjithsej kanë ndodhur 54 aksidente komunikacioni të shkaktuar nga kafshët, para së gjithash nga qen endacak, shkruan gazeta KOHA. Numri më i madh i këtyre aksidenteve kanë ndodhur në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup, aksidente këto të cilat fatmirësisht kanë përfunduar pa persona të vdekur, vozitës dhe bashkudhëtarë të lënduar rëndë. Por, përsëri në secilin prej këtyre aksidenteve është shkaktuar dëm material nga 10 deri në 30 mijë, gjegjësisht 40 mijë denarë, varësisht automjetit, forcës së goditjes dhe rrethanave të tjera. Më shumë aksidentet kanë ndodhur si pasojë e lëvizjes së pakontrolluar të kafshëve në rrugë, për shkak të pasigurisë së rrugëve me mburojë adekuate ose në mënyra të tjera. Këto aksidenteve, si zakonisht, kanë ndodhur në orët e mbrëmjes ose në orët e hershme të mëngjesit, në të shumtën e rasteve në afërsi të daljes për në fshatin Kamjan, në afërsi të Grupçinit si dhe në disa vende të tjera. Këto aksidente, pa përjashtim, si rezultat kanë pasur ngordhjen e këtyre kafshëve që janë përfshirë në aksidente. Duke marrë parasysh të dhënat se gjatë një viti në Pollog regjistrohen mbi njëqind aksidente me kafshë, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, apelon deri te vozitësit për një vëmendje maksimale kur lëvizin në autostradë, ndërsa deri tek organet kompetente apelohet që të ndërmarrin masa konkrete, me qëllim që të pengohet qasja dhe lëvizja e lirë e kafshëve në rrugë.
“Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë sërish apelon deri te vozitësit që të jenë jashtëzakonisht të vëmendshëm dhe kujdesshëm si dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, kjo sidomos vlen për në orët e natës, për arsye se gjatë natës mundësitë për të hasur në ndonjë kafshë në rrugë janë më të mëdha, për shkak se në shumë vende gardhet e hekurta të autostradës janë të dëmtuara dhe nuk janë funksionale.
Vitin e kaluar, rikujtojmë se 118 aksidente në rajon janë shkaktuar nga kafshët, shumë prej tyre në këtë autostradë”, deklaroi Josifovski. Profesori universitar, Vullnet Palloshi, thotë për KOHA se është obligative që shteti apo ndërmarrja përgjegjëse që të mirëmban rrugët dhe autostradën.
“Ata kanë obligim që çdo pesë vjet të bëjnë rikonstruimin, rinovimin dhe rregullimin e të njëjtës. Por, gati se 15 vite nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, prandaj edhe është në atë gjendje kjo autostradë, që ka shumë dëmtime. Obligim i ndërmarrjes është që të mirëmbajë gardhin përgjatë autostradës, me qëllim që të pengojë hyrjen e kafshëve. Obligim ligjor është mirëmbajtja e sinjalizimit vertikal dhe horizontal. Mirëmbajtja e gardhit apo korsisë në mes të autostradës. Po ashtu, duhet të mirëmbahet edhe asfalti, sepse ka plasaritje, gropa dhe deformime të tjera që në masë të madhe e vënë në rrezik jetën e vozitësve. Po ashtu, pjesë e mirëmbajtjes janë edhe mburojat prej metali përgjatë autostradës që janë të dëmtuara si dhe shtyllat ndriçuese që përkufizojnë fundin e rrugës, të cilët nuk janë funksionale”, thotë Vullnet Palloshi.
Autostrada Tetovë-Shkup, me një gjatësi prej rreth 40 kilometra, ka shumë pika të zeza të cilët janë ankth i vërtetë për vozitësit, sidomos në vendin e quajtur Karpallëk, ku rruga është dëmtuar që nga viti 2001, ndërsa edhe në hyrje në Saraj gjendja aspak nuk është më e mirë. Krahas këtyre pikave të zeza, pjesë e tmerrshme vazhdon të jetë rruga afër Grupçinit, sidomos në pjesën te nënkalimi për në Debërcë, ku ndodhin më shumë aksidente me kafshët për shkak të mungesës së mburojave prej metali.
Aspak më mirë nuk është situata në autostradën Tetovë-Gostivar, ku për çdo ditë ka aksidente të kësaj natyre, për shkak të mungesës së mburojave përgjatë autostradës. Të njëjtat, sipas autoriteteve, shpesh herë vendosen, por ka raste edhe kur ata largohen ose grabiten nga hajnat për përfitime materiale. Së fundi, ka filluar një pjesë e autostradës nga Shkupi për në Tetovë të rikonstruohet, por sa do të zgjasë kjo dhe sa do të përmirësojë gjendjen, pritet të shihen në të ardhmen. Pikërisht nga moskujdesi dhe mos mirëmbajtja e kësaj autostrade, ka bërë që brenda vitit të ndodhin mbi 150 aksidente, ndërsa vetëm në vitin 2016 ka pasur tre viktima. (koha.mk)