Republika e Maqedonisë Veriore sesa Republika e Maqedonisë së Veriut; më pak e mundimshme është forma: shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriore sesa shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga kjo pastaj: të gjithë shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut… Siç dihet, shqiptimi i tingujve të njëjtë krijon vështirësi nyjëtimore, po edhe keqtingëllim (kakofoni).
Nga Haki YMERI
Mbiemri verior,-e dhe forma e rasës gjinore (i,e) veriut janë sinonime dhe, si të tilla kanë vlerë semantike (kuptimore) të njëjtë ose ë. Megjithatë edhe për ato sinonime për të cilat deklarohemi se kanë vlerë kuptimore të njëjtë, nuk mund të themi se kanë vlerë aksiomatike të barabartë. Vetëm aksiomat nuk kanë nevojë të provohen, ato merren si të vërteta absolute, e meqenëse është ashtu, atëherë mund të diskutojmë për nuancat që mbështesin ndryshueshmërinë evidente të këtyre përcaktorëve të emrit Maqedoni. Këtë mund ta bëjmë duke mos e kundërshtuar aspak vlerën e barabartë të përdorimit të tyre në Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe. Mirëpo nuk do të thotë se përdoruesi i tyre nuk duhet të zgjedhë njërin apo tjetrin sinonim për raste të veçanta. Meqenëse gjuhëtarët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, po edhe mua nuk na pyeti askush, unë dua ta shpreh mendimin tim, pavarësisht se kjo punë është mbaruar dhe kthim prapa as që mund të bëhet, prandaj po pyes si ishte më mirë të thuhej:Maqedonia e Veriut apo Maqedonia Veriore? Isha për të pranuar si formë normative togfjalëshin Maqedonia Veriore e jo Maqedonia e Veriut për disa arsye: kuptimore, gramatikore, për shqiptim më të lehtë, po edhe për arsye historike.
Në gjuhën shqipe emërtimet e vendeve sipas pozitës gjeografike që zënë në anët e horizontit (lindje, perëndim, veri, jug) është bërë praktikë e përgjithshme që të shprehen me togfjalësh që përbëhet nga një emër i përveçëm në rasën emërore të shquar + një emër në rasën gjinore ose me një mbiemër. Pra, kemi dysi formash të mundshme të tipit: Amerika e Jugut – Amerika Jugore, Italia e Jugut – Italia Jugore, Sudani i Jugut, Irlanda e Veriut. Ka raste kur është përdorur njëra ose tjetra mënyrë: ose përcaktori i shprehur me mbiemër: Afrika Perëndimore, Gjermania Perëndimore, Osetia Veriore etj.; ose përcaktori i shprehur me emër në rasën gjinore: Sudani i Jugut, Irlanda e Veriut etj. Në të tilla raste, ngulitja ka ardhur si rrjedhim i traditës së përdorimit të njërës ose të formës tjetër. Siç dihet, kur kemi larmi formash, planifikimi gjuhësor kërkon të përzgjidhet forma më e mirë nga të gjitha versionet. Rrjedhimisht, kur janë të mundshme e të lejueshme dy forma, atëherë vetëm njëra nga to duhet të normëzohet, pra të bëhet formë standarde, e detyrueshme për të gjithë përdoruesit e saj. Edhe pse mendojmë se të dy togfjalëshat janë me vlerë të njëjtë, janë me vlerë sinonimike, megjithatë ato dallojnë jo vetëm për nga forma, por edhe për nga kuptimi. Po të themi Maqedonia e Veriut, atëherë doemos duhet të ketë edhe një Maqedoni të Jugut, po të themi Kosova e Veriut pranojmë se ka edhe një Kosovë të Jugut, po të themi Shqipëria e Veriut duhet të kemi edhe një Shqipëri të Jugut (që do të gjendej në jug të Shqipërisë së Veriut).
Fundja, botën e perceptojmë në bazë të krahasimit apo të krijimit të raporteve midis gjësendeve, tipareve, dukurive etj. Bie fjala, njerëzimi e ka krijuar konceptin dhe fjalën Poli i Veriut, sepse ka kuptuar se ka edhe një pol tjetër që gjendet në jug, e që e ka emërtuar Poli i Jugut; kemi fjalën plus meqë kemi edhe fjalën minus, kemi antonimet: ditë – natë, mirë – keq, i vogël – i madh, i shkurtër – i gjatë etj.
Me emërtimin Maqedonia Veriore nënkuptojmë pjesën veriore të një Maqedonie të vetme antike që shtrihej në pjesën veriore të Greqisë së dikurshme, Maqedoninë Antike, që ekzistoi që nga viti 800 p.e.s. e deri në vitin 146 p.e.s., Maqedoninë e Mesjetës, Maqedoninë e Re, e tani edhe Maqedoninë e Sotme (të Veriut, ose edhe VERIOREN).
Një arsye tjetër pse mbështes versionin e emrit Maqedonia Veriore lidhet me një shpjegim tjetër gjuhësor. Edhe në rastin e dysisë së emërtimit të Maqedonisë duhet të respektojmë dy parime shumë të rëndësishme gjuhësore: ekonominë e gjuhës dhe lehtësimin e shqiptimit. Me fjalë të tjera, forma Maqedonia Veriore është më e shkurtër. Në përdorimet e mëpastajme në ligjërim e kemi më lehtë të themi e të shkruajmë:
Republika e Maqedonisë Veriore sesa Republika e Maqedonisë së Veriut; më pak e mundimshme është forma: shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriore sesa shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga kjo pastaj: të gjithë shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut… Siç dihet, shqiptimi i tingujve të njëjtë krijon vështirësi nyjëtimore, po edhe keqtingëllim (kakofoni). Edhe kur fjalët i shkruajmë më vete, shkronjat i lexojmë shpejt, pothuajse si të ishin një fjalë e vetme (që shkruhet bashkë). Te togfjalëshi Republika e Maqedonisë së Veriut rrokja së (së së) përsëritet dy herë (Maqedonisë së); ndërsa te togfjalëshi Republika e Maqedonisë Veriore i shmangemi kësaj përsëritjeje. Unë isha për MAQEDONINË me përcaktorin VERIORE, po e gëzoftë edhe me përcaktorin E VERIUT. Mjafton të sillet si mëmë e të gjithëve, e ne të sillemi si bij të vërtetë të saj.
(Autori është profesor ordinar në pension)