Të dallosh qëndrimin zyrtar Amerikan nga lobimi për përfitime klienteliste, është thelbi i të kuptuarit të asaj që ne e quajmë mbështetje ndërkombëtare, e cila nuk mund të arrihet me aktivitete të nëndheshme dhe aspak të qarta. Uashingtoni zyrtar i ka përfaqësuesit special dhe diplomatët e përhershëm përmes të cilëve i delegon, jo vetëm detyrat, por i bart edhe mesazhet për problematika të caktuara
Nga Emin AZEMI
Ngatërresat terminologjike që paraqiten në retorikën politike, por edhe në tekstet gazetareske, nxjerrin të lajthitur ata që i dëgjojnë, por jo ata që dinë të bëjnë dallime në mes të qëndrimeve zyrtare të një administrate shtetërore dhe lobistëve të ndryshëm, të cilët më paraqiten herë si filantropë e herë si aventurierë në anë të ndryshme të botës.
Lajthitjet e tilla më tepër kanë si konotacion keqkuptimin publik, sa herë që njerëzit nuk arrijnë të bëjnë dallime në mes të zyrtarëve dhe lobistëve. Prandaj kohëve të fundit na ka rënë të dëgjojmë për lloj-lloj aktivitetesh të këtyre lobistëve, siç është bie fjala familja e filantropistit Xhorxh Soros, dhe shumëkush këto aktivitete ia atribuon krejt Amerikës, që është një gabim shumë i madh.
Në radhë të parë, zyrtarët amerikanë nuk kanë nevojë të mbajnë takime larg syve të publikut, siç po veprojnë Sorosët, sepse këtu zë fill krimbi i dyshimit për këta të fundit. Çdokush që ka ndjekur zhvillimet e fundit në Shqipëri, por edhe në rajon, ka mundur të identifikojë dy qëndrime të kundërta të Uashingtonit zyrtar dhe njerëzve që rrotullohen afër Sorosit mbi situatën aktuale në Tiranë. Këta të fundit gjërat i matin sipas një dioptrie jotransparente dhe këtu përfundon misioni i tyre i sinqertë, mision ky që ishte objekt debati, por edhe kritike nga ana e presidentit Ilir Meta, i cili u tregua mjaft emocional në qëndrimet e tij anti-Soros teksa e krahasonte veten me Avni Rrustemin dhe Mic Cokolin. Ilir Meta ia përkujtoi publikut se nuk është si ish-kolegu i tij Gruevski, i cili, sipas tij, kishte braktisur frontin e betejave politike.
Kritikuesit e Sorosit ia kanë zënë për të madhe atij dhe familjes së tij për involvime që jo gjithmonë janë në përputhje dhe në harmoni me interesat vitale të popullatës autoktone. Ata që kanë mundur të ndjekin këto involvime, janë ndarë të pakënaqur me mënyrën se si Sorosi i ka menaxhuar disa takime ku supozohet se kanë marrë pjesë politikanë nga Prishtina e Beogradi, e ku në fokus ka qenë tema e korrigjimit të kufijve në mes të dy vendeve.
Edhe pse Uashingtoni zyrtar, sidomos administrata e Presidentit Trump, disa herë ka shfaqur shenja pakënaqësie ndaj këtij involvimi që ka ushtruar Sorosi, ky i fundit megjithatë ka vazhduar të shpërndajë mjegulla në opinion se gjoja këto aktivitete i bën në emër të Amerikës mike.
Për cilën Amerikë po flasim? Për Amerikën e Bushëve, Clintonëve dhe presidentëve Obama e Trump, të cilët kanë vizione të qarta mbi tema e probleme të ndryshme në botë, apo po flasin për një Amerikë që aventurierë të ndryshëm e përdorin si gomë rezervë për të arritur në destinacionet e caktuara, që nuk janë gjithmonë transparente dhe në instancë të fundit – nuk janë qëllimmira.
Të dallosh qëndrimin zyrtar Amerikan nga lobimi për përfitime klienteliste, është thelbi i të kuptuarit të asaj që ne e quajmë mbështetje ndërkombëtare, e cila nuk mund të arrihet me aktivitete të nëndheshme dhe aspak të qarta. Uashingtoni zyrtar i ka përfaqësuesit special dhe diplomatët e përhershëm përmes të cilëve i delegon, jo vetëm detyrat, por i bart edhe mesazhet për problematika të caktuara. Prandaj na duket naive të besojmë se lobistët dhe filantropët e tipit të Sorosit mund të bëjnë mrekullia çudibërëse në Ballkan, për arsye se filantropizmit të tyre iu vije era dallavere për përfitime afatshkurtra. (koha.mk)