Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 shtator – Në dekadat e fundit ngjashëm me të gjthë shtetet e rajonit, edhe në Maqedoni, janë shkatërruar mijëra e mijëra hektarë tokë pjellore. Një sipërfaqe e madhe e tokave të punueshme është betonuar, duke u shndërruar në zona industriale, ndërtesa kolektive, shtëpi private, objekte hoteliere, por edhe pompa të benzinës, shkruan gazeta KOHA. Analizat tregojnë se nga vitet e pasluftës së dytë botërore, gjegjësisht në 70 vitet e fundit, në Maqedoni janë përgjysmuar hapësirat e tokës më pjellore dhe të përshtatshme për përpunimin e tokës. Agronomët thonë se ndërtimet e ndryshme që shkatërrojnë tokën bujqësore e dëmtojnë zhvillimin e bujqësisë në plan afatgjat dhe i zvogëlojnë resurset e mjaftueshme të shtetit që të ushqejë vetveten.
Të dhënat statistikore tregojnë se në Maqedoni për çdo vit humben në mesatare nga 7000 hektarë tokë punuese bujqësore me ndërtimin e objketeve të ndryshme banesore, ekonomike, apo edhe të infrastrukturës. Dëshmi për humbjen e tokës bujqësore është ndërtimi i fabrikave në tokat pjellore. Agronomët thonë se ndër shkaqet kryesore të betonimit të tokës bujqësore, krahas tjetërsimit të saj në tokë urbane për qëllime komerciale, është edhe shpërngulja jashtë shtetit e të rinjve, por edhe plakja e popullatës në zonat rurale, me çka mjaftë hapësira bujqësore mbeten të papunuara. Si faktor tjetër i humbjes së tokës punuese bujqësore, theksohet edhe mbyllja e kombinateve bujqësore në fillim të viteve 90-ta, psa çka edhe mjaft bujq humbën interesimin për t’u marrë me bujqësi. Ndërkaq, një nga problemet më të mëdha të bujqësisë në Maqedoni dhe rajon, krahas urbanizimit të pamëshirshëm të tokës pjellore bujqësore, është edhe parcelizimi i tokës bujqësore, ku në mesatare një parcelë tokë punuese tek ne nuk arrin as dy hektarë, por edhe ngecja e bashkimit të tokës bujqësore në parcela më të mëdha.
Sipas profesorit universitetar, Jovan Azhderski, mbi dhjetë përqind e tokës më pjellore në Maqedoni është shndërruar në beton dhe asfalt. Nga viti 1945 e këtej, mbi 100 mijë hektarë të tokës së klasit të parë dhe të dytë, në mënyrë të përhershme kanë ndryshuar dedikimin dhe janë shkatërruar. Gjithashtu, në 20 vitet e fundit 30 përqind e këtyre 100 mijë hektarëve janë ridedikuar. Kjo tregon sjelljen e papërgjegjshme ndaj resursit të truallit , gjegjësisht ndaj prodhimit të ushqimit, shton më tej Azhderski.
“Të gjitha vendbanimet që nga viti 1980 e këtej janë të vendosura në tokat më pjellore nga kategoria e parë deri në kategorinë e tretë. Kjo do të thotë se nëse e gjithë kjo tokë pjellore është ridedikuar, urbanizuar dhe faktikisht shkatërruar, tani për punim të tokës duhet të adaptohet truall tjetër më pak pjellor nga kategoria e tretë deri në kategorinë e pestë, që nënkupton edhe pesë herë më shumë harxhime dhe pesë herë më pak rendimente. Nëse më parë kemi pasur 1.2 milionë hektarë tokë bujqësore, kjo tokë edhe tani është aty dikund, megjithatë tani toka bujqësore që punohet është përgjysmuar”, thotë për KOHA, Azhderski. Agronomët gjithashtu theksojnë se nevojitet të punohet që të shpëtohet toka e mbetur punuese bujqësore. Rekomandohet që të zvogëlohen në minimum ndërtimet në tokën pjellore bujqësore dhe për biznes apo hapjen e fabrikave të reja të shfrytëzohohen hapësira siç janë fabrikat e vjetra që qëndrojnë të zbrazëta apo ish kazermat ushtarake. Duke pasur parasysh limitin e tokës bujqësore që mund të shfrytëzohet për prodhimtari bujqësore, me shumë kujdes sugjerohet të bëhet edhe me planifikimin e zhvillimit si dhe depërtimin e zonave urbane në zonat rurale, me qëllim të ruajtjes së tokës bujqësore. Gjithashtu, ia vlen të analizohen dhe të shfrytëzohen edhe përvojat e shteteve si Hollanda, që e vetmja në botë i rrit hapësirat e tokës punuese duke rrëmbyer tokën nga deti me ndërtimin e digave, me qëllim të mbrojtes së shtetit nga vërshimet, por edhe të rritjes së hapësirave të tokës bujqësore. Nga ana tjetër, Izraeli në dekadat e fundit ka shndërruar shkretëtirën në oazë bujqësore përmes përdorimit të teknologjive moderne dhe organizimit të lartë të punës në sektorin e bujqësisë.
Ndryshe, në shtetet ku ka planifikim hapësinor në pajtim me natyrën, secili lloj i tokës shërben për çfarë është krijuar: toka pjellore për mbjellje, tokat mesatare për pyje dhe ato të varfëra për ndërtim. Në Maqedoni, por edhe në disa shtete të rajonit, si në Kosovë, Shqipëri, Kroaci, por edhe shtete tjera, në dekadat e fundit ndodhi edhe humbja e madhe e tokës më pjellore, që në vend për bujqësi është dedikuar për fabrika, shtëpi, hotele, pompa të benzinës, etj. (koha.mk)