Njerëzit e traumatizuar nga ngritja e furishme nuk kanë aftësi ta menaxhojnë vetëpërmbajtjen, prandaj edhe dalin qesharak në sytë e publikut teksa mundohen të tregohen origjinal dhe gjoja të dijshëm
Nga Emin AZEMI
Entuziazmi i atyre që luftojnë për ta sjellur një forcë politike në pushtet, fillon të fashitet në momentin kur e kuptojnë se mundet edhe pa ta të vazhdojë procesi. Shkëputja e lidhjes në mes të pushtetarëve të rinj dhe mbështetësve të tyre, fillon ngadalë dhe gradualisht të ndodhë, fillimisht, duke i zëvendësuar numrat e vjetër të telefonit me të rinj, pastaj, duke i rralluar takimet, dhe në fund ikjes së ballafaqimit të drejtpërdrejt në ndonjë pritje, apo takim rasti. Kulmi mbërrin kur miku i deridjeshëm është i detyruar ta pres tri orë për ta takuar funksionarin e porsazgjedhur, i cili brenda në zyrë ose është duke e tredhur ndonjë mizë, ose është duke luajt letra në kompjuter. Rrallë ndodhë që pritjet e gjata të vinë si pasojë e ndonjë pune gjeniale që bën ai brenda.
Është kompleks i vjetër fshirja si me gomë e meritave të të tjerëve për ngritjen tënde. Kjo nuk ndodhë vetëm në politikë, por edhe në fusha të tjera. Shumë shkrimtarë, gazetarë, kompozitorë iu ka hy vetja në huj në momentin kur i bëjnë dy hapa vet, dhe mundohen pastaj t’i bindin të tjerët se gjithë jetën kanë ecë vetëm, pa ndihmën e të tjerëve. Madje ka prej atyre që mundohen ta mohojnë edhe kontributin prindëror në rritën dhe zhvillimin e tyre.
Njerëzit e traumatizuar nga ngritja e furishme nuk kanë aftësi ta menaxhojnë vetëpërmbajtjen, prandaj edhe dalin qesharak në sytë e publikut teksa mundohen të tregohen origjinal dhe gjoja të dijshëm. Por kinse origjinalitetin e tyre e bluan koha, ashtu siç shkrihet në det një grumbull i vogël zalli posa të mbërrij dallga.
Për njerëzit e vetëmjaftueshëm, puna ekipore është nocion i huaj. Ata parapëlqejnë të jenë dalzotës të shumë ideve e projekteve, të cilët patjetër duhet të mbajnë vulën e egoizmit të tyre të papërmbajtur. Në fakt ata tinëz mundohen të vjedhin ide, të kopjojnë projekte, por e kanë të pamundur në kokat e tyre të shortojnë më shumë mend se sa që kanë. Sepse, mendja jo vetëm që nuk mund të operohet, por ajo i ka të limituara hapësirat e magazinimit të ideve që janë në shpërputhje me intelektin e personit.
Nga sjelljet e ndryshme të njerëzve, pasojat nuk janë të njëjta. Gjithsesi pasojat më të rënda vinë atëherë kur persona me funksione publike nuk ia dinë hallin vetes dhe marrin mbi vete përgjegjësi të mëdha. Edhe pse ata nuk vinë vetë në ato pozita, por sidoqoftë gjithkush që pretendon të merret me punë që kanë impakt në interesat më të gjëra publike, e ka vështirë të bëj ndonjë kapërcim kualitativ në karrierë nëse e luan edhe rolin e shoferit, edhe të përgjegjësit, edhe të sekserit, edhe të gjithëdijshmit. Në fund nga gjithë ky opus kudondodhjesh mblidhet një grumbull kotësirash, që i ngjan një plehu të ngritur ku gjelat e sabahut shkarravisin gjumin e tepërt.
Njerëzit e thjeshtë në shpirt, por shumë të kthjelltë në tru, asnjëherë nuk e harrojnë rrugën nga kanë ardhur. Sepse që të ngjitesh mundet dikush të të ndihmoj, kurse për t’u rrëzuar të mjafton vetvetja kur ajo është e zbrazët.