Kohët e fundit është përfolur shumë për një rikthim të sulmuesit Zlatan Ibrahimovic në Europë, për të luajtur me një nga skuadrat ku është aktivizuar edhe më pare (Inter, Milan dhe Manchester United), por vetë i interesuari shprehet se ende nuk ka një ide se çfarë do të ndodhë. Sulmuesi suedez është 37 vjeç, ndihet një lider në skuadrën e LA Galaxy dhe sezoni i parë në MLS është i shkëlqyeshëm. Për këtë arsye, Ibrahimovic ndihet i lumtur në “tokën e premtuar” dhe e sheh me dyshim një rikthim në Europë.
“Në këto momente po përjetoj një situatë ku kam nevojë për ekuilibër mes punës dhe pushimit. Kam kaluar një dëmtim të rëndë dhe jam stërvitur fort për të qenë në formë pavarësisht moshës. Këtu ndihem mirë, kam ende edhe dy ndeshje për të luajtur dhe shpresojmë që të kualifikohemi në play off. Sinqerisht nuk e kam marrë kurrë në konsideratë faktin se mund të rikthehem të luaj në Europë. Nuk mund të them asgjë tjetër, veç faktit se për asnjë moment nuk e kam menduar seriozisht rikthimin në origjinën time”, tha Ibrahimovic.