Një avokat italian gay, partneri i tij shqiptar dhe një 25 vjeçare shqiptare rrezikojnë të dënohen nga 5 deri në 15 vite burg, pasi akuzohen për “ndryshim të gjendjes civile” të një të porsalinduri. Sipas hetimeve, historia fillon në vjeshtën e vitit 2015, kur 25 vjeçarja shqiptare shtatzënë, e paidentifikuar, mbërrin në Itali. Konkretisht, ajo shkon në Pavese ku martohet me ceremoni civile me një avokat italian gay. Pak ditë pas martesës, 25 vjeçarja sjell në jetë fëmijën, i cili regjistrohet në gjendjen civile si fëmija i avokatit, në këmbim të 70 mijë eurove. Shkak për nisjen e hetimeve është bërë një lajmërim i fshehtë mbi martesën e avokatit me vajzën shqiptare. Pas kësaj, 25 vjeçarja paraqitet në komisariat me të dashurin e saj të vërtetë duke pohuar se në këmbim të fëmijës, avokati i kishte premtuar asaj 70 mijë euro, nga të cilat kishte marrë vetëm 5000. Pas kësaj, autoritetet gjyqësore urdhërojnë testin e ADN-së, për të konfirmuar dyshimet. Nga testi rezultoi që avokati nuk ishte babai i fëmijës. Sakaq fëmija është dërguar në një komunitet mbrojtës duke iu refuzuar nënës biologjike.