Shkup, 31 tetor – Numri i punëtorëve në industri në shtator të këtij viti në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar është rritur për 4,3 për qind, ndërsa rritje prej 6,8 për qind është shënuar në periudhën janar –shtator të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, njoftoi sot Enti Shtetëror Statistikor.
Në sektorin “miniera dhe nxjerrja e gurit” në shtator të këtij viti krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar ka rritje prej 2,1 për qind në numrin e punëtorëve, në “industrinë përpunuese” rritje prej 4,7 për qind, ndërsa në sektorin e “furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar”, rënie prej 0,4 për qind.
Sipas grupeve kryesore industriale, numri i punëtorëve në industri shënon rritje tek “produktet ndërmjetësuese, përveç energjisë” për 7,3 për qind dhe “produkte kapitale” për 17,2 për qind, tek “mallra jo të qëndrueshëm të konsumit të gjerë” është në nivel të njëjtë ndërsa rënie shënon tek “energjia” për 0,8 për qind dhe “mallra të qëndrueshëm të konsumit të gjerë” për dy për qind.
Indeksi i numrit të punëtorëve në industrinë në periudhën janar – shtator viti 2018, në krahasim me periudhën janar – shtator të vitit 2017, është 106.8.