Zejnulla VESELI
Shkup, 26 tetor – Përveç kompanive të huaja që një pjesë të fitimit në tregun Maqedonisë e dërgojnë si dividendë aksionareve në vendet amë nga ata vijnë, një shumë të madhe të parave që qytetarët e Maqedonisë i kanë nëpër kartelat kreditore, i harxhojnë për blerje të mallrave të ndryshme në vendet e jashtme, shkruan gazeta KOHA.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë, për gjashtë muajt e parë të këtij viti, ne emër të dividendës, kompanitë e huaja prezent në Maqedoni, drejt aksionarëve të tyre kanë transferuar 127 milionë euro, ndërsa nga viti 2012 apo 5 vitet e fundit, nga Maqedonia, kompanitë e huaja drejt kompanive amë si dividendë kanë transferuar rreth 1 miliard euro. Po ashtu, të dhënat zyrtare të BPM-së për gjashtë muajt e parë të këtij tregojnë se shtetasit e Maqedonisë, gjatë udhëtimeve jashtë vendit, nga llogaritë e tyre bankare kanë harxhuar 103.9 milionë euro. Nga muaji janarit i vitit 2017 e deri në fund të muajit qershor, përmes kartelave kreditore, shtetasit e Maqedonisë në bankomatet e vendeve të huaja kanë tërhequr kesh para, duke harxhuar 104 milionë euro për blerje të mallrave të ndryshme nëpër butikët apo shitoret e ndryshme.
Në anën tjetër, sipas BPM-së, shtetasit e huaj që kanë vizituar Maqedoninë për periudhën e njëjtë, përmes kartelave të tyre kanë realizuar transaksione në vlere të përgjithshme prej 124.3 milionë euro. Të dhënat e fundit zyrtare të BPM-së tregojnë se pjesën më të madhe të parave, shtetasit e Maqedonisë jashtë vendit i kanë tërhequr nga bankomatet, gjë që tregon se me para kesh kanë blerë mallra të ndryshme nëpër butikë apo shitore tjera. Për gjashtë muajt e parë shtetasit e Maqedonisë, kanë blerë mallra të ndryshme me kartela kreditore në vlerë prej 57.2 milionë euro. Gjithashtu nga bankomatet në vendet e jashtme shtetasit e Maqedonisë për 6 muajt e parë këtij viti kanë tërhequr 11.9 milionë euro. Ndërkohë, qytetarët e Maqedonisë nga muaji janar e deri në fund të muajit qershor të këtij viti, përmes internetit në internet shitoret e shteteve të huaja kanë harxhuar rreth 40 milionë euro dhe pjesa me madhe e mallrave të blera janë nga internet shitorja e “Ali Ekspres”.
Në anën tjetër, sa i përket harxhimeve të bëra nga vizitorët e huaj që kanë qëndruar në Maqedoni nga janari i këtij viti e deri në fund të muajit qershor, më shumë para kesh kanë tërhequr nëpër bankomatet përmes kartelave kreditore si dhe kanë bërë pazare me kartela kreditore edhe nëpër butikë apo shitore të ndryshme. Kështu, vizitorët e huaj nga bankomatet kanë tërhequr kesh para në vlerë prej 73.9 milionë euro, ndërsa në anën tjetër me kartela kreditore në shitoret dhe butikët kanë harxhuar rreth 50 milionë euro. Sa i përket blerjeve në shitoret e internetit që ofrojnë shërbime në Maqedoni, shtetasit e huaj kanë blerë mallra të ndryshme përmes kartelave të tyre kreditore në vlerë prej 1.4 milionë euro. (koha.mk)