Për 30 për qind do të rriten pagat e inspektorëve, jepet vërejtje para dënimit

Shkup, 21 shkurt – Pagat e inspektorëve  do të rriten për 10 për qind në fillim të vitit të ardhshëm dhe  do të arrijnë rritje për 30 për qind në vitin 2022.  Kapaciteti i shërbimeve inspektuese  të përforcohet me kuadër të re, ndërsa gjatë sanksionimit të vendoset rregull për vërejtje  para caktimit të dënimit, parashikon Ligji i ri  për kontroll inspektues, i miratuar në seancën e fundit qeveritare.

“Me ligjin  parashikohet dinamika për rritje të pagave, por përparësi do të kenë  shërbimet inspektuese të ekspozuar  në rrezik më të madh, për shembull si  Inspekcioni i tregut. Ata punojnë edhe në mbrëmje në klubet e natës ku ka persona të alkoolizuar,  shpesh herë edhe janë sulmuar. Nuk është e njëjtë të jesh inspektor i tregut dhe inspektor në arsim”, tha sot në konferencën për shtyp  ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

Analizat e të gjitha shërbimeve inspektuese  kanë treguar mungesë të  kuadros  në nivel lokal dhe shtetëror.  Që të mundësohen punësime të reja vendoset edhe sistem i ri për marrje të licencave  për inspektor dhe për trajnimin e tyre të përhershëm dhe përkryerjes profesionale.

“Shifra e tanishme prej 1.000 inspektorëve është absolutisht e pamjaftueshme  që të arrihet gjithçka. Me rregullat e tanishme  që nuk përgjigjen me realitetin  askush nuk do të mund të bëhet inspektor në disa vite të ardhshme. Tani e hapim mundësinë  dhe çdo shërbim inspektues sipas mundësive të tyre do të duhet të bëjë punësime”, citoi ministri.

Ai konsideron se ligji i ri do të krijojë klimë të volitshme të punës për inspektorët dhe subjektet  në kontroll. Ndikim më i madh pozitiv pritet  për ndërmarrjet e vogla, të cilat,  përkujtoi Mançevski shpesh herë duhet të mbyllin  për shkak të parregullsive të konfirmuara gjatë kontrollit inspektues, pa u dhënë shans  t’i mënjanojnë.

Vendoset edhe koncept i ri i kontrollit inspektues përmes planifikimit të inspekcioneve  në bazë të vlerësimit të rrezikut. Inspekcionet, ka  potencuar ministri resor, nuk do të munden më  të shfrytëzohen si mekanizëm për presionin politik ose ekonomik. Si rregull vendoset  vërejtja  para caktimit të dënimit.

“Kontrolli inspektues duhet të ndalet të jetë  mekanizëm për mbushjen  e buxhetit. Kontrolli inspektues  duhet së pari ta ketë rolin këshillëdhënës.  Subjektet së pari do të marrin vërejtje  dhe afat ta mënjanojnë parregullsinë, para se të caktohet dënimi. Vetëm në mënyrë të tillë inspekcioni  nuk do të perceptohet si represion”, sqaroi Mançevski duke potencuar se përjashtim i kësaj do të jenë  rastet kur inspektori do të vlerësojë  se parregullsitë e konfirmuara  mund të shkaktojnë rrezik për jetë dhe shëndetin  e qytetarëve”, dëm financiar, rrezikim të mjedisit jetësor ose rrezikim të interesit publik.

Zgjidhja e re ligjore duhet të sigurojë edhe  parashikueshmëri të kontrollit inspektues përmes  listës për kontroll. Çdo subjekt i cili është lëndë e  kontrollit inspektues, para vizitës së inspektorëve, do të marrë listë të dokumenteve konkrete  dhe informatave  të cilat duhet t’i sigurojë. Me atë gjatë takimit me inspektorët, subjektet  do të jenë të gatshëm  dhe kontrolli inspektues do të zgjasë më pak. Miratimit të ligjit i kanë paraprirë  shumë debate publike. (koha.mk)