Luftërat nëpër kontinentin afrikan, si dhe uria dhe sëmundjet që ato i kanë shkaktuar, e kanë marrë jetën e pesë milionë fëmijëve nën moshën pesëvjeçare në 20 vitet e fundit, vlerësohet në reportazhin e revistës “Lanset”, transmeton gazeta KOHA.
Kjo revistë mjekësore britanike i ka analizuar të dhënat nga 35 shtetet afrikane në periudhën nga viti 1995 deri në vitin 2015, ku janë regjistruar gjithsej 15,441 përleshje ushtarake në të cilat janë vrarë jo më pak se një milionë njerëz. Hulumtimi ka treguar se nga pesë milionë fëmijët të cilët e kanë humbur jetën si rezultat i këtyre përleshjeve, tre milionë nuk kanë mbushur as një vit.
Arsyet kryesore për vdekjen tek fëmijët në zonat e konfliktit janë shkatërrimi i sistemit shëndetësor dhe sanitar, për çka përhapen sëmundjet vdekjeprurëse. Mungesa e ushqimit si rezultat i konfliktit gjithashtu është problem i madh në Afrikë dhe shkakton shkallë të lartë të vdekshmërisë tek fëmijët.
Zonat më të rrezikshme në këtë periudhë ishin Kongo, ku me dekada të tëra ka luftë civile dhe Nigeria. Hulumtimi ka treguar se efektet nga përleshjet ushtarake ndjehen edhe në qindra kilometra nga vendi i konfliktit dhe shkaktojnë vdekshmëri tek fëmijët.