Bujar KURTAJ
Shkup, 23 korrik – Fshati Studeniçan i Shkupit në të kaluarën ka nxjerrë sportist të dalluar nga të gjitha sportet duke filluar nga futbolli e deri te mundja tradicionale. Të tillë janë edhe Tefik Demiri, Xheladin Ismani, Ramadan Ramadani, pastaj Nexhmedin Memedi, Muzafer Ejupi dhe shumë të tjerë të cilët me dinjitet mbrojnë ngjyrat e klubit, por edhe prezantojnë kudo që shkojnë vendlindjen apo fshatin Studeniçan. Kësaj radhe ne nuk do të ndalemi te futbolli, si sporti më i popullarizuar në botë nga ku thamë kanë dalë emra të mëdhenj si Muzafer Ejupi, futbollisti aktual i Osijekut, pastaj Nexhmedin Memedi, ish-futbollisti i Slloga Jugomagnatit dhe klubeve tjera dhe përfaqësueses së Maqedonisë, por do të ndalemi te sporti me të cilin identifikohet ndoshta ky fshat dhe ajo është mundja tradicionale, nga siç përmendëm kanë dalë emra të mëdhenj si Tefik Demiri, Xheladin Ismani, Ramadan Ramadani dhe së fundmi Xhezair Latifi, njëri prej më të mirëve në këtë sport mjaft tërheqës dhe interesant. Në intervistën për gazetën KOHA, “Xheza” siç e njohin të gjithë, tregon fillimisht për dallimin mes mundjes tradicionale dhe asaj që zhvillohet në palestra, hapat e parë dhe “fajtorin” që e shtyri atë të merret me këtë sport, sukseset e arritura, momentet e mira dhe të këqija që i ka pasur në karrierën e tij, lëndimin të cilin e largoi para kohe nga mundja, aktivitetet dhe jetën e tij pas përfundimit të karrierës.
KOHA: Fillimisht a mund të na tregosh se kush është Xhezair Latifi dhe si lindi ideja që të merresh me mundje?
LATIFI: Vij nga fshati Studeniçan. Jam lindur në vitin 1981 dhe jam fëmija më i vogël nga gjithsej katër vëllezërit sa jemi. Me mundje tradicionale është marrë babai im i ndjerë, i cili në fakt është edhe ‘fajtori” kryesor që edhe unë fillova të ndjek hapat e tij. Ai ka qenë aktiv në vitet e 60-ta duke garuar si ‘Bash’ – pra mundje tradicionale dhe ai donte me çdo kusht që ndonjëri nga katër djemtë sa ishim të merreshim me këtë sport. Në fillim tentoi më vëllain e madh, pastaj me të dytin e deri te i treti, por nuk ia arriti që ti inkuadrojë ata në këtë sport. Por, kjo dëshirë e madhe atij iu realizua me mua, pasi unë që nga mosha 14-vjeçare (1994) fillova të merrem me mundje edhe atë te Klubi i Mundjes ‘Studeniçan’. Kuptohet nuk më mungoi përkrahja, jo vetëm nga babai, por edhe nga të gjithë të tjerët, duke marr parasysh se kisha një talent jashtëzakonisht të madh. Të përmend edhe atë se si sparing partner e kam pasur Muhamed Vejselin nga fshati Studeniçan, të cilin e falënderoj për bashkëpunimin që e kam pasur. Ai ende vazhdon të merret me mundje, ku aktualisht i është mundësi më i mirë.
KOHA: Duke marr parasysh se janë dy lloje të mundjes, a mund të na tregosh dallimin mes mundjes tradicionale që zhvillohet në natyrë dhe mundjes në palestër?
LATIFI: Mundja tradicionale është një ndër përleshjet më të vjetra në historinë e njerëzimit. Një luftë zgjatë 45 minuta ose 1 orë. Mundësit luhen me vaj dhe janë të veshur me KISPETA nga lëkura. Fitore arrin ai i cili bën i pari dush, ndërsa nëse nuk ka dush, shkohet në pikë, derisa mundësi i cili fiton i pari një pikë, shpallet fitues. Luftërat zhvillohen në hapësirë të lirë, zakonisht livadhe ose stadiume. Ndërsa, mundja që aplikohet në dyshek mbahet në palestra. Zgjat tre raunde me nga 3 minuta, ndërsa fituesi shpallet me dush ose me pikë. Pra ata nuk luhen me vaj, ndërsa kanë veshjen e tyre tradicionale.
KOHA: Si ka rrjedh karriera e “Xhezës”
LATIFI: Për tre vite e gjysmë kama arritur të zhvilloj lufta në kategorinë e parë – pasi paraprakisht i kalova katër kategori. Të sqaroj se te mundja tradicionale fillon nga mbrapa, pra nga kategoria e pestë (fëmijë) pastaj e katërta, e tretë, e dytë dhe deri te kategoria e parë, e cila cilësohet si më e forta. Në 15 vitet e para pra në kategorinë e parë nuk njihja humbje në Maqedoni, ku bindshëm isha më i miri. Kam marr pjesë në turnirë të ndryshme vendore, por edhe ndërkombëtare. Thash që në Maqedoni s’kisha konkurrencë, ndërsa në ato ndërkombëtare jam shpallur disa herë kampion si në Greqi, Zvicër dhe pastaj në Kosovë. Me një fjalë nga 500 luftërat sa i kam pasur për 18 vite karrierë, kam pësuar vetëm pesë humbje, të tjerat janë fitore. Humbjet i kam pësuar nga mundësit turk, të cilët nuk duhet të flitet shumë për ata, pasi tradita është në anën e tyre dhe njihen shumë në sportin e mundjes tradicionale. KOHA: Je marr edhe me mundje siç thamë ajo që aplikohet në palestër?
LATIFI: Në fakt paralelisht jam marr edhe me mundje. Kam garuar në kategorinë 85 kilogram, ku në turnirët shtetërore që u mbaheshin thjeshtë nuk kam pasur konkurrencë. Duke marr parasysh se në shumë turnirë shpallesha më i miri, do ta kisha veçuar turnirin ‘Margaritari i Artë’ (‘Makedonski Biser’). Edhe pse nuk arrita të fitoj vendin e parë, por të tretin, humba nga mundësi japonez, i cili kishte normë olimpike. Derisa, do ta kisha veçuar edhe pjesëmarrjen në turnirin në Ruse të Bullgarisë, ku me 18-vjeç në kategorinë 85 kilogram, u shpalla mundësi më i mirë.
KOHA: Janari i vitit 2013 do ta mbash mend deri në fund të jetës, por jo për të mirë duke marr parasysh se pësove lëndim, i cili më pas edhe të detyroi ti japësh fund karrierës?
LATIFI: Në janarin e vitin 2013 kur isha në kulmin e karrierës dhe nuk dija për humbje, u lëndova. Në luftën kundër Egzon Shalës lëndova ligamentet e gjurit të këmbës së djathtë. E kisha patjetër ti nënshtrohem ndërhyrjes kirurgjike dhe kjo më mbajti jashtë parketit dhe mundjes tradicionale për gjashtë muaj. Tentova të rikthehem, realizova disa stërvitje dhe lufta, nuk munguan edhe fitoret, por pas një viti vendosa të tërhiqem duke marr parasysh se dhimbjet u rikthyen dhe nuk mundesha të vrapoj e më pas edhe të jap maksimumin në stërvitje.
KOHA: A e kishe vështirë të sjellësh një vendim të tillë?
LATIFI: Tani kur po flas me ju po emocionohem dhe ende nuk mundem të pranoj se jam tërheq përfundimisht nga mundja. E kam pasur shumë vështirë kur vendosa ti them vetes ‘mjaft’. Derisa, dhimbjet e gjurit ende i ndjej. Mirëpo, ky është realiteti dhe duhet të pajtohem me fatin. Prapë se prapë falënderoj Zotin që më dha mundësi të arrij atë që e kisha arritur deri para lëndimit. Një arritje që nuk e kisha paramenduar asnjëherë – pasi përsëris 15 vite nuk kam ditur se çka është humbja. Këtë pos meje e ka arritur vetëm Tefik Demiri, të tjerë nuk ka.
KOHA: Meqë i kishe dhënë fund karrierës si mundës, me çka merret aktualisht “Xheza”.
LATIFI: Mundjen e kam në zemër dhe derisa të jem gjallë do të merrem me këtë sport. Edhe pse jo i rregullt, jam ndihmëstrajner te Klubi i Mundjes ‘Studeniçan’. Por ajo që më tepër i jam përkushtuar është Thertorja ‘Xheza’ dhe dy shitoreve (mishtoreve) në Shkup dhe Studeniçan. Në fakt është vazhdimësi e asaj që e filloi babai im. Kemi diku 20-punëtor, thertoren e udhëhiqi më shumë unë, kurse shitoret vëllai im Nusreti. Aty bëhet therja e pastaj e shpërndajmë mishin, që është produkt i yni. Ndryshe, pos mishtoret tona ne me mish i furnizojmë edhe mishtoret tjera në Maqedoni.
KOHA: Po në jetën private kush është Xhezair Latifi?
LATIFI: Jam i martuar, kam katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Dëshira ime është e njëjta siç e kishte babai im, që njëri nga tre djemtë e mi të merret me mundje. Xhihadi, i cili ka 11-vjeç ka filluar të merret me mundje dhe ai aktualisht është na kategorinë e pestë në mundjen tradicionale. Shihet se ka talent, ka marr pjesë në turnir duke arritur fitore por ka edhe humbje. Mirëpo, është herët të vendos se për cilën mundje do të përcaktohet, edhe pse dëshira ime është që ai të vazhdojë me mundje, që dashtë Zoti ta njeh bota.
KOHA: Nga luftërat e shumta që i ke zhvilluar, cilën do ta kishe veçuar?
LATIFI: Në një turnir në fshatin ‘Patishka Rekë’ ku morën pjesë diku 70 mundës kur në luftën time të parë kundër Hamit Bakiut nga fshati Buzallakovë e Velesit. Ishte lufta ime e parë prej kur kam dal në grup. Lufta përfundoi baras – por e veçanta e kësaj lufte ishte ndjenja dhe kënaqësia shpirtërore që e ndjeja në ato momente, pasi arrita t’ia plotësoj dëshirën babait, i cili ishte prezent në këtë luftë. Emocionet nga ajo luftë janë të papërshkruara. Pastaj nuk kaloi shumë kohë dhe pas pesë muajve ndërroi jetë babai im, por përsëris jam krenar që arrita t’ia plotësoj atij dëshirën që e kishte. Ndërkohë, duke marr parasysh se edhe humbjet janë pjesë e sportit do ta kisha veçuar turnirin ndërkombëtar në Greqi në kategorinë e parë. Pas pesë luftërave dhe fitoreve të arritura, në finale humba nga turku Erkan Artan. Lufta zgjati dy orë, ku unë humba në pikë. Kjo më mërziti shumë, pasi në momente isha shumë afër fitores, por ja që nuk ia arrita qëllimit.
KOHA: Tani që je tërhequr, cili është vlerësimi yt për mundjen tradicionale?
LATIFI: Rregullisht ndjek ngjarjet në të dyja mundjet. Në atë tradicionale aktualisht po dominon Muhamed Vejseli, pastaj Beslim Murtezani, Fati Vejseli dhe disa të tjerë. Nga këta priten rezultate të mira. KM ‘Studeniçan’ ka katër vite që është aktive – aktualisht ka 12 mundës ku nën udhëheqjen e Bejtulla Eminit dhe unë si ndihmëstrajner, në të ardhmen presim rezultate të mira. Ndërkohë, në mundjen aty pa dyshim se po dominon dhe me plotë meritë në piedestalin më të lartë është ngjitur Klubi i Mundjes ‘Liria’ nga Shkup. Aty ka shumë mundës të talentuar dhe besoj se në të ardhmen do të dalin emra të mëdhenj.
Për Mentaz Allajbegun
Nuk mund të mos e përmend edhe përkrahjen që kam pasur nga i ndjeri Mentaz Allajbegu, babai i një i numrit shumë të madh të sportistëve shqiptar anembanë botës ku janë. Ai vinte më vizitonte vazhdimisht në Studeniçan – më këshillonte dhe më ka stërvitur. Kishte shumë dëshirë që të më stërvit vet ai dhe vazhdimisht më thoshte ‘hajde të stërvit unë që të njeh bota’. Por aso kohe ishte vonë për mua që unë të vazhdoj në dyshek. Vendi i tretë të cilin e fitova në turnirin ‘Makedonski Biser’ është meritë e tij – pasi për këtë turnir u stërvitëm bashkërisht. Në fakt ai aty u bind se unë mund të arrij suksese