Shkup, 5 korrik – Këshilli i Komunës Qendër në seancën e djeshme i votui propozim vendimet për përcaktimin e vlerës maksimale të pikës për përllogaritjen e pagave të ofruesve të shërbimeve publike dhe drejtorëve në çerdhet e territorit të Komunës Qendër.
“Me këto propozim vendime janë përfshirë çerdhet “Koço Racin”, “13 Nëntori” dhe “Rade Jovçevski-Korçagin”. Edukatoret, kujdestarët, bashkëpunëtorët profesionistë dhe drejtorët e këtyre institucioneve publike do të marrin paga më të larta për 16 për qind. Pagesa e pagave të rritura fillon me pagesën e pagës së qershorit, gjatë korrikut”, informon Komuna Qendër, përcjellë KOHA.
Rritja e pagave të personelit gjithëpërfshirës në çerdhet, siç theksohet, është në pajtim me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa në drejtim të përmirësimit të kushteve në mbrojtjen e fëmijëve, avancimin e cilësisë së arsimit parashkollor dhe motivimin e kuadrove të cilët kujdesen për fëmijët në çerdhet.
Në seancën e 31-të të Këshillit të Komunës Qendër këshilltarët votuan edhe tri propozim vendime që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkomunal mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës Qendër.
Me vendimin e parë për bashkëpunim ndërkomunal, Qyteti i Shkupit dhe Komuna Qendër do të fillojnë përpunim të përbashkët dhe vendosjen e planit të rregullimit të Planit të përgjithshëm urbanistik të Qytetit të Shkupit 2012-2022, lagjja 3 10 Debar Mëhallë, të cilin do ta përpunojë Qyteti, ndërsa me mjete financiare do të marrë pjesë edhe Komuna Qendër. Plani i ri i rregullimit do t’i rregullojë hapësirat publike dhe të komunikacionit dhe parkimin në Debar Mëhallë, ndërsa do të fshihet objekti memorial “Shkolla e vjetër e qytetit” , në barok që ishte paraparë të ndërtohet në vendin pas Komunës Qendër.
Dy vendimet e tjera kanë të bëjnë me bashkëpunimin në projektim, ndërtim, përdorim, mbrojtje dhe mirëmbajtje të rrugëve të banimit dhe servisit të cilat gjenden në territorin e Komunës Qendër dhe mirëmbajtjen e një pjese të rrugës “11 Tetori” (pjesa e ISHP “Klinika universitare për sëmundje kirurgjike” deri te “Porta Maqedonia”) dhe nga rruga “Dimitria Çupovski” (nga “Porta Maqedonia” deri te QT “Palloma Bjanka”).
Në Këshill është miratuar edhe vendimi për rritjen e pjesëmarrjes financiare të Komunës Qendër për rekonstruimin e rrugës “Kongresi i Rilit” dhe propozim vendimi për sigurimin e hapësirës në shkollat fillore komunale për nevojat e federatës së ping-pongut të shtetit tonë. (koha.mk)