Urim HASIPI
Tetovë, 7 janar – Edhe vetëvrasjet shënojnë rritje në rajonin e Tetovës. Këtë e konfirmojnë statistikat e policisë, të cilët thonë se vitin që po e lëmë pas kanë ndodhur 9 raste të vetëvrasjeve, gjegjësisht katër më shumë se në vitin 2014, shkruan gazeta KOHA. “Vitin e kaluar në rajonin më të gjerë të Tetovës gjithsej janë regjistruar 9 vetëvrasje ose 4 më shumë në krahasim me vitin paraprak 2015. Të gjithë të vetëvrarët janë të gjinisë mashkullore. Në të shumtën e rasteve ata janë varë, por ka raste edhe të përdorimit të armëve të zjarrit. Shkaqet më të shpeshta të këtyre vetëvrasjeve në këtë periudhë janë shkaqe të gjendjes shpirtërore, gjegjësisht ç`rregullime psikike, por edhe marrëdhëniet e prishura familjare, depresioni dhe të tjera”, njofton zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Në ndërkohë, psikologët thonë se vetëvrasja si fenomen me përmasa shqetësuese deri pak kohë më parë ndjehej vetëm prej së largu, ndërkaq si dukuri tejet e errët psiko-sociale gjithnjë e më shumë merr përmasa më të mëdha edhe në vendin tonë.
“Vetëvrasja, si veprim i cili shkakton vdekjen e individit, nuk ngel vetëm me pasojat individuale, por përmasat e pasojave të këtij veprimi ndjehen si në aspekt familjar, ashtu edhe në atë social. Numërohen një sërë faktorësh si shkaqe të vetëvrasjeve, siç janë sëmundjet mendore, përdorimi i substancave narkotike, përdorimi i alkoolit, gjendja e vështirë socio-ekonomike, mosmarrëveshjet apo grindjet sistematike familjare, pamundësia për t’u ballafaquar me situata problemore, humbja e personave të dashur në familje ose problemet të cilat kanë të bëjnë me lidhjet e dashurisë dhe të ngjashme. Në aspektin psikik, vetëvrasja si fenomen gjen zbatim te personat të cilët janë të paekuilibruar në aspekt social”, thotë Muhamed Jonuzi, psikolog. Por tashmë vetëvrasjet nuk janë prezent vetëm te mosha madhore, por edhe te mosha shumë e re. Sipas psikologëve, kjo është pasojë e përdorimit të tepruar të televizorit dhe ndikimit të rrjeteve sociale.
“Kohëve të fundit kemi pasur rast të shohim se vetëvrasja si dukuri ndodh edhe te moshat e reja, për të mos thënë fëmijëri dhe në këtë rast listës së shkaqeve të kësaj dukurie patologjike në shoqëri, i shtohet edhe përdorimi jo racional i televizionit, kompjuterit, internetit, lojërave të ndryshme kompjuterike, të cilat te të rinjtë ngjallin ndjenja agresive dhe transformime në sjelljet e përditshme. Gjithashtu, në këtë konstelacion nuk mund të lëmë pa përmendur edhe përdorimin rrjeteve sociale, me ç’rast lidhjet e ndryshme fiktive dhe pamundësia për t’i jetësuar ata, dinë të shkaktojnë edhe çrregullime socio-emocionale të cilat karakterizohen me tentime e veprime apo edhe me realizim të një akti të tillë”,thotë Jonuzi. Po ashtu, në numër mjaft të konsiderueshëm janë edhe tentimet për vetëvrasje. “Në periudhën kohore për të cilën bëhet fjalë, gjithashtu janë evidentuar edhe tre tentative për vetëvrasje, në krahasim me 17 në vitin 2015. Behet fjalë para se gjithash për helmim me tableta, lëngje toksike, mjete për higjienë dhe të ngjashme. Ne mesin e atyre që këto dy vite më shumë kanë tentuar që të marrin jetën e tyre, gjegjësisht të vetëvriten, më shumë janë femra, kryesisht për shkak të sjelljeve të tyre antisociale, zhgënjimit, dashurisë së pakthyer, mungesës së parave dhe kështu me radhë”, thotë zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Psikologët thonë se personat e rrezikuar duhet të bisedojnë me prindërit, por edhe me psikologun, pedagogun, sociologun, psikiatrin, teologun dhe faktorë tjetër që të shmangin një veprim të këtillë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.