Shumë njerëz janë të detyruar të largohen nga vendet e tyre, madje fëmijët janë dëshmitarë të vrasjeve që po ndodhin, jo rrallëherë edhe të familjarëve të tyre. Në vitin 1996, Graça Machel, politikane dhe humanitare, ish gruaja e Nelson Mandelës, i ka dërguar një raport OKB-së me titull “Ndikimi i luftës te fëmijët”, duke sjellë vëmendjen ndërkombëtare te fëmijët e prekur nga lufta në mesin e politikëbërësve dhe akademikëve. Ky raport përmbante çështjet për t’i siguruar fëmijët e për t’i kursyer nga lufta, duke iu referuar të drejtave të njeriut.
“Dhuna fizike, seksuale dhe psikike për të cilën ata fëmijë janë të shënjestruar, duhet të ndalet gjithsesi. Lufta minon themelet e jetës së fëmijëve dhe shkatërron shoqërinë e një vendi”, ka thënë Machel. Fëmijët midis moshës 12-18 janë më shumë të ekspozuar në konfliktet e dhunës, gjendje kjo që u sjellë trauma të pashlyeshme atyre. Si pasojë e konfliktit, fëmijët dhe të rinjtë mund të humbasin besimin në vete, te të tjerët dhe mund të mos e rikthejnë kurrë më gjatë gjithë jetës. Frika që përjetojnë ata shoqërohet me ankth, depresion, janë të pabindur dhe agresiv. Intervistat e bëra brenda kampet të refugjatëve nga psikologë të ndryshëm tregojnë se ata kanë frikë edhe të flasin, të shprehen, janë të tërhequr nga çdo bisedë dhe rrinë të mbyllur në vetvete. “Nuk të besojnë aspak, ne u jemi afruar t’i ndihmojmë por ata largoheshin nga ne. I kemi zgjatur duart duke buzëqeshur por as edhe një hap drejt nesh nuk e bënin”, është shprehur Christina Paulsen, psikologe me detyrë në një kamp refugjatësh në Irak. Ajo, pos tjerash ka thënë se kishin frikë edhe çokollatë të merrnin nga njerëzit që s’i njihnin.
Një fotograf-gazetar turk Osman Sagirli, ka rrëfyer një përjetim personal që i ka ndodhur në Siri me një vajzë siriane të vogël, të cilën kur është afruar ta fotografoj – ajo i ka ngritur duart lart, duke menduar se i ka drejtuar armën. “Jam tmerruar po aq sa ajo kur ngriti duart lart duke menduar se jam duke e qëlluar”, ka thënë Sagirli. Gjatë konfliktit, fëmijët dhe të drejtat e njerëzve janë të shkelura në një shkallë masive. Të drejtat e tyre për t’u mbrojtur nga dhuna, abuzimi dhe neglizhimi, për të jetuar me dinjitet dhe të mbështetur për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë, nuk janë aspak funksionale. Tetëmbëdhjetë milionë fëmijë janë duke u rritur në kaosin e luftës. Në dhjetë vitet e fundit, si rezultat i konfliktit të armatosur, mbi 2 milionë fëmijë janë vrarë, 6 milionë janë me aftësi të kufizuara, 20 milionë janë të pastrehë, dhe më shumë se 1 milion janë ndarë nga familjarët e tyre. Në luftën e fundit në Kosovë, gjatë periudhës janar 1998 – 12 qershor 1999, nga forcat serbe janë vrarë 1392 fëmijë, ku 296 ishin deri në moshë 5 vjeç, ndërsa 1.096 ishin mbi 5 deri 18 vjeç, transmeton gazetametro.net.
Ndërsa në Siri, sipas raportit të UNICEF-it, mbi 500 fëmijë janë vrarë nga fillimi i shkurtit të vitit 2012. Ndërsa 400 fëmijë thuhet se u arrestuan dhe u torturuan në burgjet siriane, nga rrjeti terrorist ISIS, i cili po mbretëron kohë të gjatë atje. Grupe psikologësh të cilët janë ballafaquar me konflikte të tilla, i bëjnë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare t’i ndihmojnë fëmijëve nëpër këto luftëra. Sipas tyre pa mbështetjen e Bashkësisë Ndërkombëtare, shumica e këtyre fëmijëve do të mbajnë këtë barrë të rëndë emocionale tërë jetë.