Inter ka siguruar një nga lojtarët më të rëndësishëm të Real Madrid, Kepler Laveran Lima Ferreira, i njohur ndryshe me emrin Pepe. Skuadra spanjolle ka vendosur të mos i rinovojë kontratën që i skadon në fund të sezonit mbrojtësit 34-vjeçar dhe zikaltërit ishin të parët që janë interesuar. Sot, mediat italiane bëjnë me dijë se Pepe ka pranuar të transferohet në Serinë A, ku do të luajë me zikaltërit. Palët kanë arritur marrëveshjen, një kontratë 2-vjeçare për portugezin, nga e cila do të përfitojë 4 milionë euro në sezon, plus bonuse të ndryshme.
Takimi përfundimtar është zhvilluar dje në mbrëmje, në Montekarlo, mes Piero Ausilio dhe menaxherit të lojtarit portugez, Jorge Mendes. Tashmë pritet edhe “OK” përfundimtar i presidentit zikaltër Zhang, që do të hedhë firmën mbi kontratë, një transferim me parametër zero për Interin, që nuk do të shpenzojë asnjë qindarkë për të marrë anësorin e “merengues”. Strategjia e Interit është e qartë, synon të keët 2-3 liderë në fushë, lojtarë me përvojë, fitues dhe të “egër” dhe Pepe është një futbollist që i ka këto karakteristika. Pepe luan me Real prej 10 vitesh, ku ka fituar gjithçka në karrierën e tij.