Aleksis Sançez në verë po bëhej gati për t’u shitur për 60, 65 apo 70 milionë sterlina te Mançester Siti, por kjo nuk ka shans të ndodhë më. Sipas asaj që shkruan “The Sun”, Pep Guardiola në janar do të përpiqet sërish për sulmuesin e Arsenalit, por duke mos ofruar më shumë se 20 milionë sterlina. “Qytetarët” ende besojnë se kiliani ka dëshirë për t’u bashkuar me ish-trajnerin e tij të Barcelonës, por kjo nuk do të thotë se do të “çmenden” për të, sepse kontrata aktuale e 28-vjeçarit përfundon pas një viti, kur ai mund të transferohet me parametra zero. Guardiola, megjithatë, po mendon edhe një skenar tjetër. Nëse ndonjë nga sulmuesit e tij do të dëmtohet gjatë, shifra që katalanasi (më saktë, klubi i tij) do të paguajë për Sançez-in do të jetë më e lartë. Gjithsesi, kurrë aq sa ofertat që ka bërë deri tani. Me pak fjalë, sulmuesi mund të quhet lojtar i Pepit. Çështja është vetëm kur.