Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka folur rreth situatës së krijuar në vendlindjen e tij, në rajonin e Katalunisë, pasi qeveria lokale miratoi propozimin për referendumin për pavarësimin e rajonit nga Spanja, që mund të mbahet më 1 tetor 2017, transmeton Gazeta Metro.
Duke qenë se është një ndër katalanasit më me ndikim në botë, Guardiola pashmangshëm u pyet për këtë çështje. “Katalanasit duan ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, të drejtën për të votuar. Është e qartë që kjo është çështje e ndjeshme, por jemi në shekullin 21 dhe tashmë gjërat janë ndryshe”, ka thënë Guardiola për BBC.
“Njerëzit ndryshojnë mendje, shoqëria ka ndryshuar. Kjo nuk ka të bëjë me atë nëse katalanasit do të votojnë pro ndarjes, ne thjesht duam të votojmë, ashtu siç bëri Skocia. Kjo është çfarë duan katalanasit tash për tash”, shtoi Pep Guardiola.
Pas caktimit të referendumit, qeveria e Spanjës ka marrë masa duke e bllokuar përmes Kushtetueses, gjë që ka nxitur protesta të shumta. Ndërkohë, shumë politikanë nga ky rajon janë arrestuar për shkak se po tentojnë ta realizojnë referendumin dhe ndarjen e Katalunisë nga Spanja.
Pep Guardiola konsiderohet simbol i klubit të futbollit nga Katalunia, Barcelona. Duke qenë kështu, ai konsiderohet edhe katalunasi më me ndikim edhe në çështje politike, madje ka marrë shpesh pjesë edhe në tubime për këtë qëllim. Katalunia është rajon me madhësi prej rreth 12 mijë kilometrash katrorë.