Ministria amerikane e Mbrojtjes kumtoi se do t’i vendosë sistemet për mbrojtje kundërajrore me rreze të gjatë veprimi “Patriot” dhe anijen ushtarake amfibike “Arlington LDP-24” në zonën e Komandës qendrore të armatës së SHBA-së (CENTCOM), fillimisht e angazhuar për Lindjen e Afërt dhe Azinë Qendrore.
“Këto forca do t’u bashkangjiten anijembajtëses amerikane “Abraham Linkoln” dhe njësisë së aeroplanëve luftarakë të SHBA-së në rajonin e Lindjes së Afërt, si përgjigje ndaj indikacioneve për gatishmëri të shtuar të Iranit të kryejë operacione ofensive kundër forcave ushtarake të SHBA-së dhe interesave tona”, ceket në kumtesën e Pentagonit.
Në kumtesë ceket edhe se SHBA-ja nuk kërkon përleshje me Iranin, por se është e gatshme ta mbrojë armatën e SHBA-së dhe interesat amerikane në rajon.
Këshilltari për siguri nacionale i Shtëpisë së Bardhë, Xhon Bolton theksoi se sistemimi i njësive detare të kryesuara nga mbajtësi i aeroplanëve “Abraham Linkoln” dhe njësive të aeroplanëve luftarak në zonën CENTCOM, në Katar është sinjal për autoritetet iraniane.
Aeroplanët bombardues amerikanë B-52 që Shtëpia e Bardhë i nisi drejt Gjirit Persik për shkak të një kërcënimi të pacaktuar nga Irani, tashmë janë në bazën ushtarake amerikane El Udeid në Katar, përderisa mbajtësi amerikan i aeroplanëve “Abraham Linkoln” po i afrohet Gjirit Persik.
Ajatollahu iranian Jusuf Tabatabia Nejad mbrëmë e porositi SHAB-në se “flota e tyre në vlerë prej një miliardë dollarëve do të mund të shkatërrohet me një raketë”.
Zëvendës shefi i Gardës revolucionare, Jadollah Xhavani dje deklaroi se Teherani nuk do të bisedojë me armikun e vet më të madh – SHBA-në dhe vlerësoi se Uashigntoni “nuk do të guxojë të nisë aksion ushtarak” kundër Iranit. (koha.mk)