Tetovë, 21 janar – Të gjithë shfrytëzuesit e pensionit kanë afat deri më 15 shkurt që dorëzojnë kërkesë për të shfrytëzuar shërbimin e rekreacionit klimaterik në banjë. Këtë shërbim mund ta shfrytëzojnë personat përfitues të pensionit të pleqërisë, invalidor dhe familjarë dhe ata që brenda 8 vitesh nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë të tyre. Nga Njësia rajonale e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor në Tetovë thonë se ky shërbim mund të shfrytëzohet vetëm një herë, ndërsa mund të aplikojnë përfituesit e pensionit, për të cilët shuma e pensionit për muajin nëntor arrin deri në 17.000 denarë, shkruan gazeta KOHA.
Pensionistët, të cilët kanë probleme dhe marrin ndihmë për përkujdesje nga person tjetër, po ashtu kanë të drejtë që të kenë një shoqërues me vete.
“Vlerësimi do të bëhet varësisht nga lartësia e pensionit prej 1 deri 100 pikë, me çka shuma më e ulët e pensionit do të marrë më shumë pikë. Nëse përfituesi i pensionit shfrytëzon një pjesë edhe nga pensioni që i paguhet nga ndonjë shtet tjetër, gjatë vlerësimit – do të merret parasysh edhe shuma e pensionit që i paguhet nga shteti tjetër. Personat përfitues të pensionit të cilët shfrytëzojnë edhe kompensim në të holla për ndihmë dhe përkujdesje nga person tjetër, shtesë për mobilitet apo verbësi, kanë të drejtë për shoqërues gjatë shfrytëzimit të shërbimit rekreacion klimaterik në banjë. Shërbimi rekreacion klimaterik në banjë përfshinë 6 pansione të plota (fjetje me tre racione ditore, terapi në banja, një kontrollim i obliguar shëndetësor dhe shpenzimet për transport në lartësi të biletës kthyese të autobusit nga vendbanimi i shfrytëzuesit deri te lokacioni ku do të shfrytëzohet shërbimi rekreacion klimaterik në banjë. Shpenzimet e transportit do të paguhen në llogarinë e transaksionit të përfituesit të pensionit pas shfrytëzimit të shërbimit” , thotë për KOHA, Ali Aliu, referent në Njësinë Rajonale të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor në Tetovë.
Viteve të kaluara, nga Tetova dhe rrethina në Banjat e Dibrës pushimin falas e kanë shfrytëzuar afër 300 pensionistë. “Vitin e kaluar kemi patur afër 300 pensionistë që e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë në banjat e Dibrës. Interesimi ka qenë i lartë, kemi patur 800 aplikime”, thotë Aliu. Kohëve të fundit, gjithnjë e në rritje është interesimi edhe i pensionistëve shqiptarë, kurse apelohet ata që e kanë shfrytëzuar njëherë këtë të drejtë, të mos aplikojnë. Pasi të miratohet kërkesa e tyre, ata mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë nga muaji mars deri në muajin nëntor, në kohëzgjatje prej 7 ditëve. (koha.mk)