Zejnulla VESELI
Shkup, 16 shkurt – Edhe përkundër premtimeve se brenda dy javëve Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) në bashkëpunim me Agjencinë për supervizion të sigurimit të kapitalit financiar pensional (MAPAS) dhe Fondit për sigurim pensional dhe invalidor të Maqedonisë (FSPIM) do të përgatit Analizë gjithëpërfshirëse për konfirmimin e gjendjes me implementimin e Ligjit për pagesën e pensioneve në shtyllën e dytë, kjo analizë ende nuk është gati, shkruan gazeta KOHA. Nga MPPS- informuan se grupi punues është duke punuar dhe kur të jetë gati analiza, MPPS-ja do ta bëjë publike atë për opinionin. “Bëhet fjalë për një analizë që ka për qëllim të vëzhgon gjendjen e një kategorie të siguruarve të cilët në vitin 2003 janë anëtarësuar vullnetarisht dhe të cilët në momentin e anëtarësimit në shtyllën e dytë pensionale kanë pasur mbi 40 vjet dhe më shumë se pesë vjet stazh pensional, por nuk kanë qenë mirë të informuar se anëtarësimi i tyre në shtyllën e dytë nuk është në dobi të tyre”, thonë nga MPPS-ja. Njëherit, nga MPPS-ja theksojnë se pavarësisht analizës, asnjë nga pensionistët që janë të anëtarësuar në shtyllën e dytë pensionale nuk do të dëmtohen. Problemet me shtyllën e dytë pensionale dolën në shesh pasi 34 persona që kishin dalë në pension në vitin 2014, për shkak anëtarësimit në të dy fondet, atë shtetëror dhe privat, morën pensione më të vogla. Ndërkaq, shumë ekspertë alarmuan se është koha që të bëhen reforma në sistemin pensional, sepse këto probleme do të barten edhe në të ardhmen dhe do të kemi shumë pensionistë të varfër. Ky problem, sipas profesoreshës universitare Jadranka Mërshiq, kërkon urgjentisht reformim të sistemit pensional për shkak se është ndryshuar pagesa e kontributeve për sigurim pensional, gjegjësisht është zvogëluar shkalla kontributeve pensionale. “Kanë kaluar 10 vite dhe parametrat kanë ndryshuar, prandaj duhet të bëhet një analizë e detajuar apo vlerësime eventuale se çfarë duhet të ndryshohet. Duhet të bëhen masa të atilla që sistemin pensional ta bëjnë të qëndrueshëm, pra ta arrijë qëllimin e saj, e kjo është lartësia e duhur e pensionit, pagesa të rregullta dhe stabilitet afatgjatë financiar. Përvoja e deritanishme nxori në shesh një të vërtetë se në shtyllën e dytë pensionale duhet të ndahen 10 për qind nga rroga bruto e një të punësuari që të mundet në të ardhmen të marrin pensione me të njëjtat kushte, siç parashihen me Fondin Pensional Invalidor. Për momentin, në shtyllën e dytë pensionale shkojnë vetëm 5 për qind dhe për këtë pensionistët e ardhshëm do të marrin pensione shumë të vogla”, thotë Mërshiq. Edhe kryetari i Organizatës së punëdhënësve, Angel Dimitrov, vlerëson se rregullativa ligjore e sistemit pensional është e kufizuar dhe si e tillë patjetër duhet të pëson ndryshime. “Ligji për pension është i përkufizuar dhe i njëjtë për të gjithë. Mirëpo, një administrator dhe një i punësuar në ndërtimtari nuk bëjnë punë të njëjtë. Punëtori në ndërtimtari në skele do të punon deri në moshën 64 vjeçare, ndërsa administratori do të punon ulur në karrige deri në moshën 64 vjeçare dhe do të merr pension shumë më të lartë se një punëtor i cili tërë jetën ka punuar në skele. Prandaj, është më se domosdoshme të reformohet sistemi pensional dhe të gjithë të punësuarit, pavarësisht se çfarë pune bëjnë, kur të dalin në pension të marrin pensione përafërsisht të njëjta”, thotë Dimitrov. Përveç problemeve në shtyllën e dytë pensionale, probleme ka edhe në shtyllën e parë të fondit shtetëror pensional, ku sipas ekspertëve dita-ditës po bëhet edhe më të theksuara. Për këtë, me buxhet shtetëror për pagesa të pensioneve janë paraparë 833 milionë euro, dhe që të sigurohet kjo shifër, ekspertët thonë se duhet të ketë realizim të plotë të pagesave të kontributeve, gjë e cila po shkon shumë rëndë. Sipas të dhënave të Fondit për Sigurim Pensional, në vitin 2015 fondi total i pensioneve kishte shifrën prej 931 milionë euro. Nga kontributet janë grumbulluar 503 milionë euro, ndërsa nga buxheti Qeveria ka transferuar 388 milionë euro.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.