Zejnulla VESELI
Shkup, 2 gusht – Përfundimisht me muajin maj të këtij viti – numri i përgjithshëm i pensionistëve kap shifrën prej 315.000, kurse pensioni mesatar është 13.000 mijë denarë. Pensione më të ulëta marrin bujqit, pensionistët e moshës, invalidët e punës, kurse pensione më të larta marrin personat pjesëmarrës në luftë, shkruan gazeta KOHA. Statistikat e Fondit Pensional tregojnë se në strukturë dominojnë shfrytëzuesit e pensioneve te moshës me 62 për qind, 24 për qind marrin pensione familjare, 12 për qind kanë pensione invalidore, ndërsa 0.48 për qind janë pensionistë të luftës, që njëherit marrin edhe pensione më të larta në Maqedoni. Nga numri i përgjithshëm i pensionistëve, 190.000 apo 63 për qind marrin pensione në vlerë prej 10.775 denarë deri më 36 mijë denarë. Rreth 7 për qind e të pensionuarve marrin pensione në vlerë prej 8.437 denarë deri më 10.775 denarë. Ndërkaq, 0.6 për qind nga numri i përgjithshëm i pensionistëve marrin pensione të larta nga 36.000 denarë deri më 47.000 denarë, respektivisht këto janë 18 mijë persona që marrin pensione lufte. Në anën tjetër, rroga mesatare në Maqedoni e paguar në muajin maj ka qenë 32.393 denarë apo 370 euro, që krahasuar më muajin prill është për 5 për qind më e lartë. Sipas të dhënave të Entit statistikor rritja e rrogës mesatare është falë rritjes së rrogave në sektorin e komunikimeve dhe të informacioneve, në administratën publike dhe mbrojtje, sigurimin e detyrueshëm social dhe në xehetari. Megjithatë edhe pse të dhënat statistikore tregojnë rritje të rrogës mesatare në Maqedoni ekspertë ekonomik shprehen se bëhet fjalë vetëm për numra statistikore të cilat nuk e pasqyrojnë gjendjen reale me të ardhurat mujore në vend kur kemi parasysh se 70 për qind e punëtorëve marrin rrogë më të vogël se 370 euro. Sipas të dhënave statistikore rroga më të larta, mbi 600 euro marrin të punësuarit në sektorët e informacioneve, komunikimeve, në veprimtaritë financiare dhe në furnizimin me energji elektrike, ndërsa pas tyre me të ardhura mesatare më të larta se 400 euro janë të punësuarit në administratën publike, mbrojtje dhe shëndetësi. Në këtë shkallë, sipas lartësisë së rrogës në fund gjenden të punësuarit në bujqësi. Eksperti ekonomik Branimir Jovanoviq konsideron se rroga mesatare në Maqedoni është vetëm matje statistikore që nuk e pasqyron gjendjen reale, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e të punësuarve marrin rroga më të ulëta se mesatarja, ndërsa vetëm një pjesë e vogël kanë të ardhura të larta mujore, që e rrit mesataren në nivel të gjithë vendit. “Po, rroga mesatare është rreth 22.000-23.000 denarë, që ndoshta nuk duket e vogël, mirëpo shumë më me rëndësi është se si është e shpërndarë ajo. E shpërndarja është e tillë që gjysma e punëtorëve kanë rrogë që është më e ulët se 16.000, e madje 70 për qind e të punësuarve në Maqedoni kanë rrogë që është më e ulët se 22.000 denarë. Prandaj, shuma relativisht e lartë e rrogës mesatare nuk është reprezentative për rrogat e numrit më të madh të punëtorëve. Ajo është e lartë për shkak se ka një numër të vogël të punësuarish që kanë rroga jashtëzakonisht të larta. Nga të dhënat e DHP-së për vitin 2012 që janë të dhënat e fundit, mund të shihet se rroga më e lartë atë vit ka qenë 80.000 еuro në muaj. Po ashtu, 14.000 persona me të ardhurat më të larta atë vit kanë pasur të ardhura të përgjithshme prej rreth 500 milionë eurosh, gjegjësisht të ardhura mesatare mujore prej rreth 3.000 еurosh. Këta janë ata që e ngrenë mesataren e rrogës”, thotë për KOHA Jovanoviq. Edhe analiza e fundit e Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM) rezulton se vetëm 1.2 për qind e të punësuarve marrin rroga më të lartë se 40.000 denarë. “Sipas lartësisë së rrogës mesatare neto, rreth 60 për qind e të punësuarve marrin rrogë neto prej 8.000 deri në 20.000 denarë, që është nën rrogën mesatare për vitin 2017. Kundrejt kësaj, vetëm 16.2 për qind e të punësuarve kanë rrogë të barabartë ose më të madhe se sa rroga mesatare neto. Nga ana tjetër, në kategorinë e të ardhurave më të larta mujore mbi 40.000 denarë bëjnë pjesë vetëm 1.2 për qind e numrit të përgjithshëm të të punësuarve”, thuhet në analizën e BPM-së. Arsyeja se pse nuk janë të realta statistikat për rrogën mesatare në Maqedoni sipas Jovanoviq është për shkak se gjithë kohën Qeveria e mëparshme ka zhvilluar politika ekonomike që shkojnë në favor të pronarëve të kapitalit, e jo të punëtorëve. “Problemi tjetër me rrogat në Maqedoni është se ato janë tepër të ulëta në krahasim me profitet e kompanive. Maqedonia është njëra nga vendet e rralla në Evropë ku profitet e kompanive janë më të larta se sa rrogat e punëtorëve. Profitet në vitin 2016 informata e fundit kanë qenë 190 miliardë denarë, ndërsa mjetet e punëtorëve 176 miliardë denarë”, thotë Branimir Jovanoviq, ekspert ekonomik.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.