Fisnik PASHOLLI
Shkup, 27 gusht – Pensionistët në Maqedoni në vjeshtë do të fitojnë rritje prej një dhe jo pesë për qind të pensioneve. Qeveria e re ka paralajmëruar se nuk do të vazhdojë praktikën e qeverisë së mëparshme për rritjen lineare të pensioneve për 600 denarë pas muajit shtator, shkruan gazeta KOHA. Paralajmërohet se do të harmonizohet rritja e harxhimeve të jetesës dhe pagës mesatare në shtet, ashtu siç parashikohet edhe me Ligjin për sigurimin pensional. Kjo me fjalë të tjera do të thotë se pensionet në mesatare në vjeshtë do të rriten për afër 180 denarë, ku pensionet më të ulëta do të fitojnë 85 denarë shtesë, ndërsa ato më të lartat do të fitojnë afër 500 denarë. Me buxhetin për vitin 2017 ishte e parashikuar rritja për pesë për qind e pensioneve, por me rebalancin janë shkurtuar mjetet për pensione më të larta. Edhe nga Ministria e punës dhe çështjeve sociale konfirmojnë se rritja në vjeshtë do të jetë vetëm një për qind.
“Harmonizimi i pensioneve kryhet në bazë të nenit 37 të Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, edhe atë sipas lëvizjes së indeksit të harxhimeve të jetesës në lartësi prej 50 për qind dhe rritjes së pagës mesatare të paguar të të gjithë punësuarve në Republikën e Maqedonisë në lartësi prej 50 për qind. Pensionet do të harmonizohen prej një janarit dhe prej një korrikut për çdo vit në bazë të përqindjes që fitohet nga totali i rritjes së indeksit të harxhimeve për jetesës në gjashtëmujorin paraprak dhe përqindjes së pagës mesatare të paguar për të gjithë të punësuarit në Maqedoni në gjysmë-mujorin paraprak në raport me gjysmë-mujorin që i prin atij”, thonë nga Ministria e punës dhe politikës sociale.
MAQEDONIA I KA PENSIONET MË TË LARTA NË RAJON!
Kryetari i Lidhjes së pensionistëve, Dragi Argirovski, thotë se do të insistohet që të ketë rritje të pensioneve në mënyrë të barabartë edhe për pensionistët me pensione më të ulëta edhe për ato me pensione më të larta. Në ndërkohë, ekonomistët thonë se në Maqedoni pensionet janë rritur madje edhe më shumë se rritja ekonomike. “Në vitin 2015 dhe 2016 kishim rritje prej tre për qind, ndërsa kishim rritje të pensioneve prej pesë për qind në vit që e tejkalon kapacitetin e ekonomisë vendore. Një trend i tillë jo i harmonizuar midis rritjes ekonomike dhe rritjes së pensioneve, filloi pas vitit 2008, kur krahas rritje së njëhershme të pensioneve, gati të gjitha harmonizimet e rregullta të pensioneve janë më të larta se rritja e ekonomisë. Deri në vitin 2008, kur ekonomia rritej në mesatare me 3.1 për qind, pensionet rriteshin me një shkallë mesatare prej 2.9 për qind. Pas vitit 2008, ekonomia në mesatare rritej për nga 2.4 për qind, ndërsa pensionet rriteshin më shumë se dy herë me nga 6.5 për qind”, thonë nga instituti ekonomik Fajnens Think, përcjell KOHA.
Në ndërkohë, të dhënat tregojnë se Maqedonia i ka pensionet më të larta në rajon me një mesatare prej 225 euro apo 13.879 denarë, edhe se më shumë shtetet fqinje. Sipas të dhënave të Institutit shqiptar të sigurimeve, pensionet më të ulëta në rajon në mesatare me 86 euro apo 11,714 lekë i kanë pensionistët në Shqipëri. Në rajon pensionin mesatar më të lartë e ka Mali i Zi me 323 euro, ndërsa më të ulëtin përveç Shqipërisë e ka Bosnja me 178 euro. Në ndërkohë, në të gjitha shtetet e Ballkanit, pensionet dhe pagat janë shumë më të ulëta në raport me vendet më të zhvilluara evropiane, kjo si rrjedhojë e ngecjes në zhvillimin ekonomik dhe rritjes tepër të ngadalshme ekonomike. Paga mesatare në Gjermani është 2200 euro, ndërsa pensionistët marrin në mesatare 54 për qind të rrogës mesatare, apo 1200 euro. Pensioni mesatar në Maqedoni ka arritur në 13.879 denarë, që është afër 60 për qind e pagës mesatare prej 22 672 denarë. Analizat tregojnë se afër 30 për qind e pensionistëve marrin pensione ndërmjet 130 deri 160 euro, shtatë për qind marrin pensione deri në 130 në muaj, ndërsa privilegjin që të kenë pleqësi të rehatshme lidhur me të ardhurat e kanë 3600 pensionistë që fitojnë ndërmjet 600 dhe 800 euro në muaj. Në ndërkohë, plakja e popullatës dhe ulje e numrit të punësuarve që mbajnë një pensionist parashikojnë analizat e Fondit Pensional. Analizat e raportit aktual të Fondit Pensional të Maqedonisë tregojnë se do rritet numri i pensionistëve nga afër 300 mijë në 470.000 në vitin 2050. Harxhimet për pagesën e pensioneve parashikohen të rriten prej afër 700 milionw euro në 1.5 miliardë euro, ndërsa pensionet mesatare pritet të zvogëlohen nga 53 në 43 për qind të pagës mesatare neto.
FONDI I VARUR NGA INTERVENIMI BUXHETOR
Raporti alarmon se në periudhën e ardhshme se vjen e më pak të siguruar do të paguajnë për një numër më të madh të pensionistëve dhe do të paraqiten vështirësi në mbulimin e harxhimeve të Fondit Pensional. Analizat bazohen në projeksionet afatgjate për ardhmërinë e sistemit pensional në vend të bazuara në lëvizjet e ardhshme demografike dhe ekonomike të përgatitura nga institucionet përkatëse. Sipas ekonomistëve, zgjidhje e vetme për mungesën e të hollave në sistemin pensional me qëllim që ai të mos ketë nevojë të marrë injeksione nga buxhetit i shtetit, si dhe vetë-qëndrueshmërisë së tij është vetëm tek rritja e numrit të të punësuarve që do të mbushin arkën e Fondit Pensional. Masa të tjera, si rritja e shkallës së kontributit apo rritja e moshës për pension nuk preferohen për të lehtësuar barrën e buxhetit ndaj arkës së fondit pensional, por edhe shëndetësor. Nga ana tjetër, nga viti në vit rriten dotacionet nga buxheti për pensionet që arrijnë në më shumë se 40 për qind të të hollave të nevojshme për pagesën e rregullt të pensioneve që tregon se Fondi pensional është i varur nga të hollat që i transferohen nga buxhetit i shtetit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.