Uashington, 10 prill – Nënpresidenti amerikan, Majk Pens kërkoi sot nga KB-ja t’ia heqë kompetencat të dërguarit të Qeverisë së presidentit Nikollas Maduro dhe ta njohë Huan Guaidon si lider legjitim të Venezuelës, transmeton KOHA.
Pens theksoi se SHBA-ja ka përgatitur rezolutë dhe u bëri thirrje të gjitha shteteve ta mbështesin.
“Erdhi momenti që KB ta njohë presidentin e përkohshëm Huan Guaido për president të ligjshëm të Venezuelës dhe të mundësojë vend për përfaqësuesin e tij në Organizatën botërore”, theksoi Pens në Këshillin e Sigurimit të KB-së.
Diplomatët vlerësuan se ka pak gjasa që Uashingtoni ta marrë mbështetjen e nevojshme. Pens nuk konfirmoi nëse rezoluta do të parashtrohet në Këshillin 15-anëtarësh të Sigurimit apo në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, ku Rusia dhe Kina, të cilat e mbështesin Maduron. kanë të drejtë vetoje.
Pens iu drejtua të dërguarit të Venezuelës, Samuil Monkada, i cili ka marrë pjesë në mbledhje, se ai nuk duhet të jetë i pranishëm në sallë, por të kthehet në vendin e tij dhe t’i thotë Maduros se është koha të tërhiqet nga pushteti.
Nënpresidenti amerikan deklaroi se SHBA-ja do të vazhdojë të kryejë presion diplomatik dhe ekonomik me qëllim që të vendoset tranzicion i qetë drejt demokracisë në Venezuelë, duke shtuar se “të gjitha variantet janë të mundshme”.
Përfaqësuesi rus në KB, Vasilij Nebenzaja theksoi se mbledhja e sotme është edhe një episod i sulmit të drejtpërdrejtë ndaj Karakasit. (koha.mk)