A ka ndonjë pykë nga e kaluara që rri ngulur në biografinë e Isa Mustafës, e cila pritet të ngulet edhe më tepër varësisht nga sjellja e tij politike?
Nga Emin AZEMI
Në Kosovë mbeti në gjysmë të udhës konstituimi i institucioneve shtetërore, pas bllokimit të negociatave në mes të LVV dhe LDK për formimin koalicionit të ri bashkëqeverisës. Pra tani për tani do ta kemi vetëm përbërjen e re parlamentare, me komisionet përcjellëse, kryetarin dhe nënkryetarët, kurse në ditët në vazhdim na presin surpriza të reja sa i përket Qeverisë.
LDK përmes kryetarit të saj Isa Mustafa ka paraqitur një qëndrim interesant, që shpreh në vetvete një dilemë të madhe sa i përket gatishmërisë së kësaj force politike për të bashkëqeverisur me LVV. LDK në të ardhmen do të jetë me një këmbë në opozitë, kurse me një dorë në pushtet. Pra ajo do ta votojë qeverinë e Albin Kurtit, por nuk do të merr pjesë në të. Ky qëndrim hermafrodit i kësaj force politike për gjithkënd shpreh habi, por mbi të gjitha shpreh edhe zhgënjim për vetë anëtarësinë e saj, sidomos votuesit e rinj, të cilët nuk e meritojnë këtë pengmarrje që po i bëhet një procesi. Pengu më i madh mund të jetë vetë kryetari Isa Mustafa, por ajo që është e patolerueshme lidhet me heshtjen, mosreagimin e njerëzve brenda LDK-së, të cilët në mënyrë të pavetëdijshme po bëhen edhe ata pengje të këtij procesi.
Veprimi më i logjikshëm që do të duhej të ndodhë në ditët në vijim, do të ishte dorëheqja e Isa Mustafës nga posti i kryetarit të LDK-së, duke e çliruar partinë e tij nga çengelet e pengmarrjes. Ai e din fortë mirë se nga kush është i zënë peng, por nuk është ferr dhe njerëzore që pengmarrjen e tij ta shndërrojë në kauzë të paqenë për gjithë subjektin që ai drejton, e që nuk e meriton të ndaj fatin me një kryetar që në çdo moment mund të jetë target i strukturave gri që kontrollojnë disa segmente shtetërore.
A ka ndonjë pykë nga e kaluara që rri ngulur në biografinë e Isa Mustafës, e cila pritet të ngulet edhe më tepër varësisht nga sjellja e tij politike?
Pse LDK, si parti e njohur për lëshime drastike ndaj ish partnerëve të koalicionit, në vitet e mëparshme, iu ka tekur bash tash kur duhet të bashkëqeverisë me LVV, të tregohet kaq këmbëngulëse në metodologjinë e ndarjes së posteve dhe funksioneve shtetërore?
LDK asnjëherë më parë nuk ka pasur pozicion kaq të fuqishëm politik si rrjedhojë e fuqisë elektorale, por çuditërisht ajo asnjëherë më parë nuk është treguar kaq ‘parimore’ në ndarjen e përgjegjësive institucionale.
Çka po e shtyn Isa Mustafën të jetë kaq ‘parimor’ vetëm kur duhet të bashkëqeverisë me LVV-në?