Sipas shifrave të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, vetëm gjatë vitit të kaluar ishin regjistruar 50 aksidente në këtë bulevard, ku ishin lënduar 14 këmbësorë dhe një drejtues i biçikletës
Urim HASIPI
Tetovë, 20 shkurt – Pengesa rrugore që do të duhej të ngadalësonte shpejtësinë e automjeteve në bulevardin “Vidoja Smilevski Bato”, në Tetovë pësoi fiasko. Pengesa me pllaka bekatoni që u vendos nga Komuna e Tetovës, me kërkesë të banorëve, fëmijët e të cilëve ndjekin mësimin në Shkollën fillore “Kirili dhe Metodi”, duhej që të krijonte siguri për këta fëmijë gjatë kalimit të bulevardit në rrugën Industriale. Një javë pasi u vendos, pothuajse tërësisht u dëmtua kjo pengesë dhe shumë vetura pësonin dëmtime dhe e njëjta është larguar. Shumë vozitës u ankuan për këtë vendosje joprofesionale të pengesës rrugore dhe Komuna e Tetovës ishte e detyruar që të veprojë dhe të largojë të njëjtën. Kërkesa zyrtare që të largohet kjo pengesë ka ardhur nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, ku sipas policisë e njëjta nuk është vendosur sipas standardeve. “Më 12 shkurt deri tek Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ishte dorëzuar kërkesë për vendosjen e pengesës rrugore në rrugën Industriale nga ana e pushtetit lokal në Tetovë dhe e njëjta ishte vendosur. Më pas e njëjta është larguar tërësisht sepse nuk ka plotësuar standardet e parapara me ligj për këtë qëllim” thonë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.
Nga policia e Tetovës njoftojnë se pas largimit të së njëjtës, me projekt tjetër është paraparë vendosja e pengesave tjera sipas standardeve në këtë bulevard. “Krahas kësaj, këto pengesa rrugore që do të vendosen, po ashtu do të kenë edhe shenja paralajmëruese adekuate. Në ndërkohë, këto pengesa rrugore gjatë orëve të natës do të kenë edhe ndriçim adekuat. Me këtë parashihet që të ketë më shumë siguri për këmbësorët, sidomos për fëmijët të cilët frekuentojnë Shkollën fillore ‘Kirili dhe Metodi’”, thonë nga policia e Tetovës.
Banorët e kësaj zone, më 25 janar të vitit të kaluar dolën në protesta, ku kërkuan më shumë siguri për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, sidomos për fëmijët ngase duhet që të kalojnë këtë bulevard mjaft të frekuentuar për të arritur në shkollë. Kërkesat e tyre ishin që në këtë vend të vendosen pengesa rrugore, të ketë vija të bardha për këmbësorët dhe të shikohet mundësia për ndërtimin e një mbikalimi për këmbësorë, sidomos për fëmijët që shkojnë në shkollë. Shkak për këtë protestë ishte aksidenti tragjik gjatë vitit të kaluar kur humbi jetën një fëmijë i moshës 6 vjeçare. Por, vendosja e kësaj pengese rrugore e ngadalësoi komunikacionin në masë të madhe dhe u dëmtua shumë dhe ishte bërë pengesë për kalimin e automjeteve. Se ky bulevard ishte i rrezikshëm dhe i tmerrshëm, tregojnë shifrat e aksidenteve që janë regjistruar në vitin 2020. Kësisoj, sipas shifrave të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, vetëm gjatë vitit të kaluar ishin regjistruar 50 aksidente në këtë bulevard, ku ishin lënduar 14 këmbësorë dhe një drejtues i biçikletës. (koha.mk)