Zgjatja e kontratës së Elseid Hysaj me Napolin është duke u shndërruar në çështje. Kërkesa e agjentit të mbrojtësit të kombëtares shqiptare, për të rritur pagën nga 1.8 në 3 milion euro, ende nuk është pranuar nga skuadra italiane.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, arritja e marrëveshjes mes Napolit dhe agjentit të Hysaj, Mario Giuffredi, është ende larg. Agjenti i futbollistit shqiptar kërkon që në kontratën e re, rroga e Elseid Hysaj të bëhet 3 milion euro.
Mirëpo Napoli nuk pranon të paguajë më shumë se 2.5 milion euro për Elseid Hysajn. Diferenca prej 500 mijë eurosh mund të bëhet shkak për mos arritjen e marrëveshjes për kontratën e re.
Sakaq kujtojmë se pjesë e diskutimeve për nënshkrimin e kontratës së re është dhe klauzola prej 50 milion euro, që e pengon Elseid Hysajn të largohet jashtë vendit. Gjithësesi në ditët në vijim mbetet për t`u parë nëse Hysaj dhe agjenti i tij do të pranojnë ofertën e Napolit për kontratën e re, apo do të këmbngulin.