Prilep, 24 prill – Me votim masiv më 5 maj, ne përfundimisht, pas 10 viteve, do të kemi president të vërtetë të shtetit. Votimi masiv do të thotë mbështetje ndaj konceptit për NATO dhe BE, për përparim të vendit dhe të mos kthehet më në regjim të errët, theksoi kandidati presidencial, Stevo Pendarovski në tribunën e sontme në qendër të Prilepit, në platonë rreth Orës së qytetit, përcjellë KOHA.
“Tre gjëra kyçe janë thelbësore. Më 5 maj me rëndësi është të dalim masivisht në zgjedhje sepse më i rëndësishëm është ky koncept të cilin e mbështesim unë, kryeministri dhe nga struktura në pushtet sepse shteti çohet në NATO dhe në BE. Edhe pse 30 vite të gjitha gjeneratat e etnikumeve që jetojnë në vend dëshiruan ta shohin vendin në NATO dhe BE, kjo gjeneratë mund ta realizojë atë ëndërr. Vetëm ky koncept, nëse e merr mbështetjen tuaj më 5 maj, e çon Maqedoninë në shoqërinë e vendeve të zhvilluara. Së dyti, votimi masiv më 5 maj për numrin 3 do të thotë se asnjëherë më në këtë vend nuk do të kthehet regjimi i Gruevskit dhe familjes”, tha Pendarovski.
Shumë familje, ndërmarrje dhe biznese, shtoi, edhe nga Prilepi, ishin të lëna pas dore.
“Besoj edhe njerëz të cilët kanë votuar për VMRO-DPMNE-në nuk dëshirojnë që të kthehen ato kohëra. Gruevski do të kthehet vetë që ta vuajë dënimin me burg. Me votim masiv më 5 maj, ne përfundimisht, pas 10 viteve, do të kemi president të shtetit. Në tetë vitet e fundit nuk patëm president i cili do ta respektojë shtetin juridik dhe do të punojë për qytetarët e vet. Prandaj, me votim masiv më 5 maj, të gjithë do të fitojnë president nga i cili nuk do të turpërohen”, tha Pendarovski para prilepasve.
Kryetari i LSDM-së dhe kryeministër, Zoran Zaev theksoi se porosia është pranuar nga qytetarët e zhgënjyer të cilët nuk dolën për të votuar në rrethin e parë. Do të ketë fshesë, potencoi, sepse këto janë zgjedhje të lira dhe demokratike.
“Kjo është rruga e vërtetë të bëjmë përpjekje për t’i kuptuar seriozisht këto zgjedhje. Rrethin e dytë nuk guxojmë ta lëshojmë. Votuesit e zhgënjyer na dërguan porosi. Qartë i pranuam porositë e qytetarëve të cilët mbetën në shtëpi në rrethin e parë të zgjedhjeve. Gjithçka do të korrigjojmë. Do të ketë ‘fshesë’, sepse këto janë zgjedhje të lira. Në kohën prapa nuk pati “shkop” për fshesë të tillë. Populli jep mundësi dhe pret fjalë të mirë, këshillë nga politikanët”, tha Zaev.
Sipas tij, të gjithë janë të vetëdijshëm se alternativë tjetër për vendin nuk ka dhe nuk ka as kthim prapa në regjimin e errët. Oponentët politik as nuk kanë koncept, as nuk ofrojnë qëndrim për çështjet e rëndësishme.
“Të gjithë janë të vetëdijshëm se alternativë tjetër për vendin tonë nuk ka. Nuk mund të dilni para popullit të kërkoni mbështetje pa ofruar të ardhme, pa koncept dhe pa pasur qëndrim për çështjet e rëndësishme. Dëshirojnë të gjuajnë vota në zhgënjim, por nuk mund të ofrojnë të ardhme të shtetit dhe të mbarë popullit, të të gjitha bashkësive etnike. Prandaj, përgjegjësia është e juaja, po aq sa edhe e jona”, theksoi Zaev.
Nuk ka përparim, shtoi, posaçërisht ekonomik, pa NATO dhe BE. Negociatat me BE-në janë “muaj mjalti” për ne. Vetëm me BE do të fitojmë standard më të lartë, ndërkaq nëse kemi standard më të lartë, të rinjtë nuk do të na ikin nga vendi, ndërsa drejtësi do të ketë vetëm me president të vërtetë.
“Të dalim masivisht që zgjedhjet të jenë të suksesshme, demokratike dhe të jemi qytetarë me përgjegjësi. Të dalim të gjithë në rrethin e dytë në mënyrë që të jemi qytetarë me përgjegjësi. Gjithçka tjetër është kthim drejt së kaluarës së errët, drejt zënkave me të gjithë fqinjët dhe me mbarë botën”, tha Zaev duke cekur se tani ka përparim ekonomik, buxheti është likuid, investimet e huaja janë 625 milionë euro, po rritet bruto prodhimi vendor, ndërkaq po rritet edhe mbështetja sociale për qytetarët. (koha.mk)