Pendarovski u takua me Roberto Fiko, kryetar i Dhomës së Poshtme të Parlamentit të Italisë

Shkup, 6 nëntor – Presidenti Stevo Pendarovski, i cili është për vizitë zyrtare e Republikës së Italisë, sot u takua edhe me Roberto Fiko, kryetar i Dhomës së Poshtme të Parlamentit italian, transmeton gazeta KOHA.

Siç informojnë nga Kabineti i presidentit, dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se të dyja vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale në më shumë sfera me interes të përbashkët, të cilat bazohen në besimin e përbashkët dhe në nivelet e ndryshme të partneritetit institucional.

Në takim presidenti Pendarovski ka thënë se e vlerëson lartë mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë italiane dhe të Parlamentit italian për rrugën tonë drejt integrimeve euroatlantike, duke u falënderuar për ratifikimin e Protokollit për inkuadrim në NATO.

Presidenti Pendarovski, duke e nënvizuar rëndësinë për përforcimin e mëtejmë midis bashkëpunimit parlamentar në nivel bilateral përmes forumeve rajonale, ka shtuar se intensifikimi i bashkëpunimit midis grupeve parlamentare është vegël e rëndësishme për përforcimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale midis dy vendeve.

Në këtë drejtim, është theksuar mundësia për thellimin e bashkëpunimit dhe këmbimin e përvojave midis vendeve-anëtare të Grupit të formuar për miqësi në Parlamentin italian në të cilin marrin pjesë Italia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina, kumtuan nga Kabineti i presidentit.(koha.mk)