Shkup, 30 tetor – Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të fushatës për mjedis më të mirë jetësor “Mos Injoro! Reago!”, sot i priti nxënësit prej tetë shkollave të mesme nga Maqedonia e Veriut.
Sipas njoftimit nga Kabineti i presidentit, në takimin me nxënësit kryetari i shtetit Pendarovski, e ka theksuar nevojën që çdonjëri prej nesh t’i përkushtojë më tepër rëndësi mirëmbajtjes së mjedisit të pastër, për arsye se e drejta e jetës në mjedis të shëndoshë është e drejtë e çdokujt, transmeton gazeta KOHA.
Presidenti ka theksuar se pikërisht kjo periudhë e vitit është thelbësore për mirëmbajtjen e mjedisit të shëndoshë, për arsye se ndotja e ajrit është shumë e lartë dhe ajo e tejkalon kufirin e lejuar të emetimit të karbonit.
“Për këtë arsye forca të bashkuara nga institucionet relevante, por edhe mbështetje nga ana e qytetarëve të cilët përpos që ndërmarrin aksione konkrete ekologjike, do të jenë edhe në rolin e patrullës ekologjike apo mbikëqyrës të ndotësve. Të gjithë përmes vetëkritikës së shpejtë duhet të jemi këmbëngulës në angazhimin tonë të kemi mjedis më të shëndetshëm dhe më të pastër”, theksoi Pendarovski, në takimin me nxënësit e shkollave fillore.
“Mos injoro!, Reago!”, është platformë e cila rreth vetes i bashkon ekspertët e fushave të ndryshme, aktivistë qytetarë, ekologjistë, krijues të mendimit publik, shoqata joqeveritare dhe iniciativa qytetare, media dhe individë me qëllim të ekspozimit të problemeve me të cilët ballafaqohemi si shoqëri; udhëzimin e çështjeve drejt institucioneve përkatëse dhe provokimin e zgjidhjeve për përmirësimin e mjedisit jetësor dhe kualitetit të jetës.
Kjo fushatë e cila është nën organizimin e Institutit për studime të komunikimit filloi në mars të këtij viti, dhe e njëjta fokusohet në rreziqet ekzistuese dhe pasojat e ndryshimeve klimatike në shtet. “Mos injoro! Reago!”, përqendrohet në tre tema kryesor: qytete të qëndrueshme, mjedis i pastër dhe ndryshime klimatike.(koha.mk)