Shkup, 12 maj – Presidenti i sapozgjedhur, Stevo Pendarovski sot do të inaugurohet në mbledhje të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka edhe zyrtarisht do ta fillojë mandatin e tij pesëvjeçar.
Në mbledhje, Pendarovski do të japë deklaratë solemne para të zgjedhurve të popullit, anëtarëve të Qeverisë, liderëve fetarë, njerëzve të parë të armatës, korit diplomatik dhe mysafirëve nga jashtë.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi për MIA-n deklaroi se deri më tani konfirmim për prani në inuagurimin e Pendarovskit ka arritur nga presidenti bullgar, Rumen Radev, nga presidenti shqiptar, Ilir Meta dhe nga presidenti kosovar, Hashim Thaçi dhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Në inaugurim do të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Sërxhan Darmanoviq, ministri grek i Punëve të Jashtme, Georgios Katrugallos, zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Maciej Lang, zëvendëskryeministri i Turqisë, Faruk Kajmakçi dhe përfaqësuesi i lartë i kabinetit të presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor.
Ftesa për prani në inaugurimin përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme u janë dërguar të gjithë shefave të shteteve anëtare të NATO-s dhe BE-së, përfshirë edhe përfaqësuesit e Komisionit evropian, si dhe nga vendet e rajonit.
Mbledhja duhet të fillojë në mesditë, ndërsa pasi që të hapet, presidenti i sapozgjedhur duhet të japë deklaratë solemne, do t’u drejtohet të zgjedhurve të popullit, pas çka do të pasojë koktel solemn.
Pendarovski, i cili u mbështet nga LSDM dhe koalicioni, në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale fitoi 436.212 vota, apo 51,66 për qind të votave të qytetarëve të cilët dolën në votim.
Stevo Pendarovski do të jetë shefi i pestë i shtetit që nga pavarësia. Para tij, funksionin e presidentit e kryen Kiro GLigorov, Boris Trajkovski, Branko Cërvenkovski dhe Gjorge Ivanov.