Shkup, 25 janar – Pasi mbaroi konsultimet me ekspertët juridik, shefi i shtetit, Stevo Pendarovski, vendosi firmën e tij në Ligjin për regjistrimin e popullsisë.
“Presidenti Pendarovski pret që procesi i zbatimit të regjistrimit të mos politizohet, ndërsa të dhënat e marra të jenë në favor të zhvillimit të përgjithshëm me çka do të mundësohet formulimi i strategjive afatgjate në sferat vitale të shtetit”, thonë nga Kabineti i Presidentit të Maqedonisë së Veriut.
Pas sjelljes së Ligjit nga Kuvendi, ky kishte filtri i fundit me çka konfirmohet se pas 19 viteve, në muajin prill më në fund do të numërohemi.
VMRO-DPMNE vlerëson se operacioni më i madh statistikor është marrëveshje politike. Thonë se janë për regjistrim të popullsisë por në mënyrë elektronike.
“Pushteti solli ligj për regjistrim i cili do të krijojë mosbesim në shoqëri dhe i nxiti dëshirat politike dhe ankandet. Gjithnjë e më të zëshme janë reagimet në shoqëri se operacioni i regjistrimit do të jetë pasqyrë e marrëveshjes politike në vend të operacionit të zbatuar statistikor”, potencoi Ivanka Vasilevska nga VMRO-DPMNE.
LSDM dërgoi reagim për paralajmërimin e DPMNE-së për mbledhjen e nënshkrimeve për Propozim ligj të ri me të cilin do të kërkohet shfuqizimi i Ligjit për regjistrim të popullsisë.
“Sjellja destruktive e VMRO-DPMNE-së në lidhje me mbledhjen e nënshkrimeve dhe thirrjen ndaj qytetarëve që ta bojkotojnë regjistrimin është sjellje kundër shtetit. VMRO-DPMNE-ja i manipulon qytetarët dhe i nxit që të mos i respektojnë ligjet edhe pse dinë se për qytetarët që nuk duan të regjistrohen pasojnë gjoba”, theksojnë nga LSDM.
Deputeti i BDI, Izet Mexhiti, tha se bëhet fjalë për operacion statistikorë dhe se shqiptarët sigurisht do të jenë mbi 25%.
“Sipas të gjithë indikatorëve shqiptarët do të jenë mbi 25%, edhe sipas numrit të nxënësve, sipas natalitetit dhe sipas shumë faktorëve të tjerë. Të gjithë ata indikatorët tregojnë se shqiptarët janë më shumë se sa ishin në regjistrimin e fundit, kështu që nuk nevojiten dilema të këtilla”, deklaroi Izet Mexhiti nga BDI.
Sipas ligjit të miratuar, regjistrimi i popullsisë do të bëhet nga 1 deri më 21 prill të këtij viti.