Shkup, 25 qershor – Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, sot në Berlin realizoi takim me presidentin e RF të Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmajer, ku u bisedua për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale mes dy vendeve, gjendjet në rajon, si dhe për aspiratat euroatlantike të vendit tonë, njofton Koha.mk
Në takim, siç informojnë nga kabineti i Pendarovskit, dy presidentët vlerësuan se dy shtetet kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale, si në planin politik, ashtu edhe në disa sfera të tjera të interesit të përbashkët, siç janë mbrojtja dhe siguria, ekonomia dhe arsimi.
Gjatë vitit të kaluar, theksoi presidenti Pendarovski, dy shtetet realizuan këmbim tregtar prej 4,3 miliardë dollarëve, ndërsa në vitin 2019 ajo shumë tashmë tejkalon 1 miliardë dollarë, me çka Gjermania ndodhet në kreun e listës së partnerëve tregtarë të Maqedonisë së veriut.
Presidenti Shtajnmajer e konfirmoi mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë për integrimin e vendit tonë në BE dhe në NATO.
Presidenti Pendarovski u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme dhe shfaqi pritje se Republika e Maqedonisë së veriut së shpejti do t’i fillojë negociatat inkuadruese për anëtarësim në BE, dhe se në kohë sa më të shpejtë do të përfundohet ratifikimi i Protokollit për inkuadrim nga ana e vendeve anëtare të NATO-s, me çka Republika e Maqedonisë së Veriut do të bëhet anëtare e barabartë e aleancës. Në atë kontekst, Pendarovski shprehi kënaqësi nga ratifikimi i Protokollit për inkuadrim në NATO nga ana e Bundestagut gjerman.
Pendarovski, ceket në kumtesën nga kabineti i tij, vlerësoi se takimi i sotëm dhe realizimi i vizitës në Gjermani është mundësi për ripërtëritje dhe intensifikim të dialogut në nivel të presidentëve, ndërkaq në funksion të përforcimit të mëtutjeshëm të partneritetit mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Federale të Gjermanisë. (koha.mk)