Shkup, 6 korrik – Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot e priti delegacionin e Komitetit për Çështje Zhvillimore Sociale të Kongresit popullor kombëtar të Republikës Popullore të Kinës, transmeton KOHA.
Në takim, siç bëri të ditur kabineti i Pendarovskit, janë shkëmbyer mendime për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Popullore të Kinës, si dhe për mundësitë për bashkëpunim midis të dyja vendeve. Në takim është konstatuar se marrëdhëniet midis të dyja shteteve po zhvillohen shumë mirë.
Pendarovski në takim ka theksuar se qëllimi strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por edhe se shteti synon ndaj thellimit të bashkëpunimit me Republikën Popullore të Kinës. Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut është pjesëmarrëse aktive në nismën 17+1 për bashkëpunim midis RP të Kinës dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Presidenti Pendarovski ka shprehur falënderim për mbështetjen dhe ndihmën e përgjithshme të RP të Kinës për Republikën e Maqedonisë së Veriut,veçanërisht në fushën e arsimit. Në takim është konstatuar se heqja e ardhshme reciproke e vizave, që është në fazën e harmonizimit, do të jetë impuls shtesë në avancimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë së veriut dhe Kinës.
Përfaqësuesit e Komitetit për Çështje Zhvillimore Sociale e kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë dhe kanë shfaqur mbështetje për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.(koha.mk)