Kandidati presidencial, Stevo Pendarovsli sot prezantoi tetë projekte të cilat do të fillojë t’i realizojë në tetë muajt e parë të funksionit presidencial, e të cilat, siç theksoi, i pasqyrojnë angazhimet e tija kyçe dhe shtyllat e programit.
I pari do të jetë të organizojë forum për dialog politik mbipartiak.
“Pas shumë viteve konflikte dhe ndarje, Maqedonisë i nevojitet dialog ndërpartiak për çështjet më të rëndësishme për qytetarët. Presidenti duhet të jetë zëri i maturisë, baraspesha mes partive politike”, deklaroi sot Pendarovski, duke shtuar se mu ky është qëllimi i këtij forumi, në të cilin do të kyçen edhe opinioni akademik dhe profesional, komuniteti afarist, sindikatat dhe organizatat qytetare.
Takime të drejtpërdrejta me qytetarë, me kalendar paraprakisht të konfirmuar të takimeve, qendër presidenciale për arsim të vazhdueshëm politik, që do të dallojë nga shkolla e deritanishme për liderë të rinj e Gjorge Ivanovit, fond për bursa të studentëve hulumtues, konferencë vjetore për përparim shkencor dhe teknologjik, si një nga angazhimet e tij kryesore, gra në politikë dhe president i të gjithë qytetarëve, janë projektet në të cilat do të fokusohet Pendarovski.
Informoi se do të emërojë këshilltare të posaçme për barazi gjinore dhe promovim të pjesëmarrjes së grave në politkë, ndërsa në kabinetin e tij do të përgatisë strategji për nxitjen e pjesëmarrjes së grave në politikë. Ai theksoi se do t’i mbështesë angazhimet për pjesëmarrje të detyrueshme të së paku 50 për qind të grave në listat zgjedhore edhe për zgjedhjet parlamentare edhe për ato lokale.
Kabineti i presidentit, theksoi Pendarovski, do ta pasqyrojë karakterin multikulturor të shoqërisë sonë.
“Do të jem president i të gjithë qytetarëve, e atë së pari do ta dëshmoj në Kabinetin tim. Në kabinetin e Presidentit do të ketë përfaqësues nga të gjitha bashkësitë etnike, të zgjedhur sipas kompetencave dhe profesionalizmit të tyre”, tha Pendarovski.
I pyetur se si e vlerëson rrjedhën e deritanishme të fushatës parazgjedhore, Pendarovski nënvizoi se tani për tani është i kënaqur nga niveli i korrektësisë nga vetë kandidatët në raport me njëri-tjetrin. Lidhur me ofertën politike, mes tjerash theksoi se oferta e tij është superiore në raport me të gjitha pikat e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë së veriut, duke filluar nga kohezioni i brendshëm, e deri te integrimet të cilat janë projekt kyç pa të cilat vendi nuk mund të përparojë.
Sipas tij, është koha e fundit edhe në fushatat për president të hyhet me afate konkrete dhe nëse nuk respektohen ato afate, potencoi, përgjegjësia politike nuk është vetëm në zgjedhjet e ardhshme, ekziston edhe përgjegjësi morale para një cikli të caktuar të zgjedhjeve.
“Ai që premton, plus me afate, nuk i respekton, ndërkaq vetë i ka thënë para tërë opinionit në Maqedoni, mendoj se duhet të largohet nga ai funksion”, deklaroi Pendarovski.(koha.mk)