Presidenti Stevo Pendarovski sot në Mons të Belgjikës, e vizitoi Komandën Supreme të Forcave Aleate për Evropë të NATO-s, ku pati takim me komandantin suprem, gjeneralin Kristofer Kavoli.
Në takim, presidenti Pendarovski u njoh me aktivitetet aktuale të komandës dhe përforcimin dhe përshtatjen e forcave pas fillimit të invadimit ushtarak rus në Ukrainë, në drejtim të mbrojtjes së aleatëve të NATO-s dhe uljen e rrezikut nga zgjerimi i konfliktit, kumtoi kabineti i tij.
Pendarovski e riafirmoi gatishmërinë e shtetit për të dhënë një kontribut aktiv në përpjekjet e Aleancës që synojnë përmbushjen e qëllimeve strategjike, në ruajtjen e sigurisë rajonale dhe përforcimin e unitetit të NATO-s. Theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të kapaciteteve të saj, do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake, humanitare dhe diplomatike për Ukrainën, me qëllim përfundimtar ndërprerjen e agresionit ushtarak, mbrojtjen e vlerave demokratike dhe vendosjen e paqes.
Gjenerali Kavoli shprehu falënderim për mbështetjen e përgjithshme që Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e NATO-s, e jep në përpjekjet e Aleancës për ruajtjen e sigurisë së hapësirës euroatlantike.
Në kuadër të vizitës, presidenti Pendarovski pati një takim me pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut të vendosur në Komandën Supreme të Forcave Aleate për Evropë.