Presidenti i sapozgjedhur i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski deklaroi se ndjen kënaqësi që së shpejti do ta ketë mundësinë të jetë presidenti i parë i shtetit të tij që do ta vizitojë Kosovën, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Pendarovski në intervistën e mbrëmshme për Radio Televizionin e Kosovës, theksoi se, si president i ri i Maqedonisë së Veriut, personalisht do të angazhohet për zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Kosovën, në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.
“Me vjen mirë që do të jem presidenti i parë i Maqedonisë së Veriut i cili do të ketë mundësi ta vizitojë Kosovën. Receta për sukses në integrimet evropiane është bashkëpunimi, në radhë të parë me vendet fqinje”, deklaroi Pendarovski, duke paralajmëruar se personalisht do të angazhohet që Maqedonia e Veriut të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me Kosovën si edhe me Shqipërinë.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut kategorikisht e kundërshtoi mundësinë për ndryshimin e kufijve si zgjidhje për kontestet rajonale, duke theksuar se zgjidhjet e tilla vijnë nga konfliktet.
I pyetur se si i komenton angazhimet e presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq për korrigjimin e kufijve si zgjidhje për kontestet midis dy shteteve, Pendarovski tha se kjo është ideja më e keqe që e ka dëgjuar deri më tani.
“Ide më të keqe se kjo nuk kam dëgjuar. Të gjithë e dimë se ndryshimi i kufijve, kudo që të ndodh është recetë për konflikt. Sikur të mundej kjo gjë të zgjidhej në tryezë deri më tani do të zgjidhej. Por, kjo ide, sipas informacioneve të cilat i kam, nuk ka mbështetje as tek faktorët vendimmarrës në Evropë dhe në SHBA. Unë me dy duart e mbështes qëndrimin e Bashkimit Evropian i cili angazhohet për zgjidhje të cilën do ta arrijnë Beogradi dhe Prishtina dhe e cila nuk do ta destabilizojë rajonin por do të kontribuojë për stabilitetin e tij”, deklaroi Pendarovski.
Ai premtoi se do të angazhohet edhe për ndërtimin sa më të shpejtë të pjesës së autostradës Prishtinë – Shkup në anën e Maqedonisë dhe shprehu keqardhje që Maqedonia është vonë me përmbylljen e këtij projektit nga ana e vet e kufirit.
“Duhet ta përfundojmë sa më parë pjesën tonë të autostradës. Me keqardhje duhet të them se puna e anës tonë është mjaft vonë në krahasim me atë që e kanë bërë autoritetet kosovare”, deklaroi Pendarovski për RTK-në.(koha.mk)