Shkup, 5 prill – Konventa e shtrenjtë e LSDM-së për prezantimin e kandidatit për president Stevo Pendarovski kaloi pa fjalim të shqiptarëve dhe pa përkthim në shqip. Dygjuhësia me të cilën mburreshin kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti mbeti vetëm në letër e mbyllur në kabinetet e tyre. Kështu thuhet në njoftimin e VMRO-së, sipas së cilës, pyetja e cila shtrohet është ajo se kujt i pengon dygjuhësia, përse nuk kishte përkthim simultan në shqip dhe si përshtatet injorimi i gjuhës shqipe me konsensualitetin?
“Në konventën e shtrenjtë që u mbajt, në sy ra mungesa e zyrtarëve të partive shqiptare në pushtet, ndërkohë që nga ana tjetër pohohet se Pendarovski është kandidat i përbashkët, i cili duhet ti përfaqësoj interesat e shqiptarëve. Jo vetëm liderët, por nuk u panë as funksionarë të tjerë të lartë të BDI-së të cilët turpshëm kanë filluar të mbajnë konventa duke kërkuar vota shqiptare për Pendarovskin”, thuhet në komunikatë, ndërsa shtojnë se LSDM vendin për delegacionim e BDI-së dhe partive tjera e kishin rezervuar larg skenës së merituar dhe jo në radhë me zyrtarët e LSDM-së, ose siç shkruhet në njoftim, “në fund afër me Amdi Bajram dhe përfaqësues të tjerë të komuniteteve më të vogla”.
Në ndërkohë, në BDI qetësojnë dhe thonë se ka qenë protokolli i LSDM-së që ka caktuar vendet e zyrtarëve jo vetëm të BDI-së, por edhe partnerëve tjerë të koalicionit qeveritar.