Shkup, 22 korrik – Presidenti Stevo Pendarovski sot deklaroi se detyra e tij, në kuadër të kompetencave të cilat i ka, është që ta ulë polarizimin në shoqëri. Porositi që politikanët të pajtohen rreth qëllimeve strategjike në ekonomi, integrimet euroatlantike dhe marrëdhëniet ndëretnike, njofton Koha.mk
“Detyra ime është që ta ulë polarizimin në çfarëdo mënyre, siç mundem, me fjalë, me veprim, me thirrje të njerëzve te unë ose me shkuarjen time te ata. Mendoj se ndasitë politike nuk kanë qenë kur më të thella dhe më të mëdha në historinë tonë si shtet i pavarur dhe se detyra e parë e secilit prej nesh i cili në një kohë të caktuar është në ndonjë funksion, është që t’i ulë ato dallime. Secili nga ne vjen nga ndonjë parti e caktuar ose ambient politik. Unë nuk jam anëtar i ndonjë partie politike, megjithatë me vite të tëra jam përfaqësues i një tipi të caktuar të ideve politike dhe të një koncepti të caktuar politik”, tha Pendarovski gjatë vizitës në Odën Ekonomike të Maqedonisë.
Theksoi se kjo nuk guxon ta pengojë që të flasë me njerëzit të cilët kanë koncept krejt të ndryshëm nga ai për zhvillim të shtetit dhe shtoi se këtë e bën.
“Deri më tani me disa nga ata nuk pata sukses që të kem kontakt, por detyra ime është, sepse paguhem nga paratë tuaja, që të tentoj këtë ta bëj deri në fund të mandatit. Dhe këtu nuk ka suita, nuk ka ego të lënduar”, tha Pendarovski.
Presidenti Pendarovski tha se duhet të lajmërohet te njerëzit të cilët janë aktorë të skenës politike dhe me të cilët deri më tani nuk ka realizuar komunikim, ndërsa të cilët, siç tha, janë të rëndësishëm për ambientin total.
“Do të tentoj t’i marr, dhe unë do t’i kërkoj dhe të jenë të bindur se do të bëj gjithçka që në këto pesë vite të mandatit tim t’i ulë ato tensione”, tha Pendarovski.
Ai vlerëson se për disa punë, të cilat kanë rëndësi strategjike për shtetin nuk duhet të ketë zënka.
“I pari është zhvillimi ekonomik. Koncepti i përgjithshëm i zhvillimit ekonomik nuk guxon të jetë gurë pengues mes VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe cilësdo parti tjetër. Maqedonia e Veriut duhet komplet të integrohet në integrimet euroatlantike, nga aspekti juaj dhe nga aspekti ynë, të mos ndahemi. BE-ja është e rëndësishme, por NATO-ja është edhe më e rëndësishme si parakusht për siguri, e më tutje për zhvillimin ekonomik. Këtu të gjitha partitë nuk guxojnë të kenë dallime. Dhe një punë e rëndësishme që kontribuon për uljen e polarizimit është që marrëdhëniet ndëretnike duhet të jenë stabile”, vlerëson Pendarovski.
Sipas tij, politikanët duhet të pajtohen për këto punë dhe për këtë prioritet-ekonomi, integrime euroatlantike dhe marrëdhënie ndëretnike. Vlerëson se këtu kontributi i tij mund të jetë më i dukshëm, gjegjësisht në bisedë me të gjithë faktorët e rëndësishëm politik të bëjnë ambient në shtetin në të cilin, siç tha, “nuk do të shihemi përmes nishanit të pushkës për punë të tilla të rëndësishme prej të cilave varet jeta jonë dhe jeta e gjeneratave të reja”.
“Për gjithçka tjetër mund të debatojmë deri nesër, edhe në Parlament edhe jashtë, edhe me demonstrime, por për këtë do të kemi koncensus shtetëror”, theksoi Penadarovski.
Shefi i shtetit vlerëson se nuk duhet të kthehemi në gjendjen para disa viteve ose, siç tha, drejtë atij niveli të ndasive dhe drejtë atij niveli të debateve dhe grindjeve.
Me mbylljen e këtyre çështjeve, me përfundimin e integrimit në NATO, i cili pritet të përfundojë këtë vit dhe t’i fillojmë negociatat me BE-në, në përgjithësi shkojmë drejtë stabilizimit dhe drejtë qetësimit të gjendjeve.
Sipas vlerësimeve të tij, kemi përpara një vit të qetë. “Zënkat politike, sepse është vit zgjedhor, do të vazhdojnë ndoshta me intensitet më të madh, megjithatë kjo nuk do të guxonte që të ndodh edhe me sferën e biznesit. Për fat të keq deri më tani ka ndodhur që njerëzit të flasin vetëm për këtë, megjithatë viti i ardhshëm nuk është vit zgjedhor për mua dhe nuk do të merrem me atë”, tha Pendarovski.(koha.mk)