Likovë, 30 prill – Stevo Pendarovski, kandidati për president, i mbështetur nga qytetarët dhe nga 31 parti politike në takim me banorët e Likovës, porositi se më 5 maj shqiptarët do të konfirmojnë se vetëm uniteti mund të sjellë progresin e shtetit tonë të përbashkët, përcjellë KOHA.
“E rëndësishme është të mos votohet për Siljanovskën, sepse ajo dëshiron ta shkatërrojë tërë atë që është bërë në interes të qytetarëve. Në vitin 2001 unë kam thënë se për Marrëveshjen kornizë, ajo ishte kundër, unë isha për Ligjin e gjuhëve ajo ishte kundër”, tha Pendarovski.
Tutje ai në fjalimin para banorëve të Likovës, tha se të dielën të gjithë që do të votojnë për Siljanovskën, votojnë për Ivanov të ri.
“E dini se ai 10 vjet gjithçka që ka bërë ka qenë në interes të VMRO-DPMNE-së dhe Nikolla Gruevskit. Tani, Siljanovska dëshiron të vazhdojë si ai, dëshiron ta kthejë prapa Nikolla Gruevskin i cili u arratis në Budapest”, shtoi Pendarovski.
Jam i bindur se ne, ju, atë nuk do ta lejojmë, por më 5 maj do të konfirmojmë se përfundimisht i kemi dhënë fund gruevizmit dhe se vazhdojmë përpara si shtet stabil, i sigurt – vend mik i botës demokratike, porositi Pendarovski.
Maqedonia, tha Pendarovski është shtet multietnik, në të të gjithë jemi të njëjtë dhe kemi të drejta të barabarta, ne nga njëra anë, duam përpara në NATO dhe BE, ata Siljanovska dhe Mickoski duan prapa në izolim dhe nuk ia mendojnë të mirën shtetit.
Për atë, më 5 maj, edhe këtu në Likovë dhe gjithkund nëpër botë, të gjithë së bashku do ta mbështesim numrin 3, të votojmë për bashkëjetesë, të votojmë për BE-në dhe NATO-n, për standard më të mirë dhe punësime të reja. (koha.mk)