Shtip, 18 prill – Në zgjedhjet presidenciale punohet në dy koncepte, njëri prej të cilëve e çon vendin në botën e zhvilluar dhe është garantues se kjo do të jetë kështu përgjithmonë, ndërsa tjetri do të jetë në të kaluarën e errët, në tunelin e gjatë të errët të transicionit, porositi në tubimin e djeshëm në Shtip, kandidati për president i mbështetur nga LSDM dhe koalicioni, Stevo Pendarovski. Ai vërejti se qytetarët në këto zgjedhje nuk guxojnë ta hedhin poshtë konceptin në të cilin të gjithë qytetarët janë të barabartë pa dallim të përkatësisë etnike apo fetare, njofton Koha.
“Nuk ka alternativë tjetër përveç NATO-s dhe BE-së, për fat të keq në vend ka opozitë politike e cila është e groposur në shekullin e 19-të. Koncepti i tyre anakron nacionalist thotë se gjithçka që kjo Qeveri ka bërë mirë gjatë dy viteve, gjithçka do të shkatërrojmë dhe gjithçka sërish do të fillojmë. Vetëm që nuk thonë se në çfarë mënyre do ta bëjnë atë, e edhe më keq,e dhe sa vite do t’u duhen ta zgjidhin, ta bëjnë marrëveshjen me Bullgarinë dhe sërish me Greqinë dhe ta anulojnë marrëveshjen kornizë. Nëse ai opsion fiton shumicë, ta dini se nuk do të shohim E nga Evropa e as N nga NATO-ja. Menjëherë do të bllokohemi dhe do të vihemi në frigorifer. Ne do të mënjanohemi anash , aspak nuk do të flasin për ne”, thotë Pendarovski.
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev në tubimin e djeshëm vërejti se Shtipi ka shumë ura të cialt i bashkojnë dy anët e lumit Otinja, e mu ura të tilla si Qeveri kanë arritur të bëjnë gjatë dy viteve të kaluara me fqinjët, dhe atë me nënshkrimin e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë. Mu ato marrëveshje dhe raporti ynë ndaj fqinjëve na çojnë në NATO dhe BE, vërejti Zaev.
“Unë dhe Stevo Pendarovski kemi dëshirë të njejtë ta shohim atdheun me qytetarë të bashkuar, unik, të gjithë së bashku, t’i shohim një ditë të bukur se fëmijët tanë nuk do t’i interesojë politika, siç iu intereson sot të gjithëve, e madje edhe fëmijëve më të vegjël. Nuk do të dinë qytetarët tanë, cilët janë ministra, cilët deputetë, kush është kryeministër apo funksionar, por do të fokusohen vetëm në gjërat më thelbësore dhe më të rëndësishme, të cilat ua bëjnë jetën më të bukur. Ky është qëllimi ynë, ky është edhe qëllimi i të gjithëve”, tha Zaev.
Lideri i LSDM-së foli edhe për ligjet e reja që po sillen në pjesën e politikës sociale, e të cilët do të sigurojnë pension të sigurt pensional, për ata qytetarë të cilët kanë paguar tatime, ndërkaq nuk kanë stazh pune, si dhe për rritjen e numrit të fëmijëve të cilët do të marrin shtesë të fëmijëve dhe arsimore. Konsideron se qytetarët kanë zgjidhje të lehtë në këto zgjedhje, sepse siç tha populli ynë e din, cila është rruga më e mirë, e ajo është me Stevo Pendarovskin drejt BE-së dhe NATO-s. (koha.mk)